6 zyra të reja në Europë për pasaportat dhe ID/ Lleshaj, emigrantëve: Regjistrohuni që të votoni më 25 prill

Shqipëria

6 zyra të reja në Europë për pasaportat dhe ID/ Lleshaj, emigrantëve: Regjistrohuni që të votoni më 25 prill

Më: 2 dhjetor 2020 Në ora: 16:54
Sandër Lleshaj

Pak ditë pas udhëzimit të qeverisë ku i kërkon qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit të regjistrohen dhe të deklarojnë vendbanimin e tyre, ministria e brendshme njoftoi këtë të mërkurë hapjen e 6 zyra të tjera për aplikim pranë konsullatave e ambasadave shqiptare në Evropë.

Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, i bëri thirrje emigrantëve të regjistrohen në mënyrë që të bëhen përfitues të shërbimeve të ndryshme, ku një prej tyre është dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ndërkohë gjej rastin të theksoj se ne po zgjerojmë shërbimet edhe për qytetarët që janë jashtë vendit. Kemi hapur një numër të madh zyrash aplikimi pranë konsullatave tona në shumë vende ku nuk i kemi pasur. Janë 6 zyra të reja të hapura.  Në të njëjtën kohë gjej rastin të ftoj të gjithë bashkë-atdhetarët tanë të bëhen pjesë e procesit të regjistrimit të adresës së tyre në vendet ku banojnë, në mënyrë që të bëhen përfitues të shërbimeve të ndryshme në Shqipëri, ku edhe e drejta e votimit do të jetë njëra prej tyre”, tha Lleshaj, nga Kombinati. 

Qeveria shqiptare i kërkon emigrantëve të deklarojnë të dhënat e adresës së saktë në shtetin ku kane vendbanimin e përhershëm.

Nga njësia administrative nr.6 në kryeqytet, ministri Lleshaj kërkoi gjithashtu që qytetarët të nxitojnë të rinovojnë dokumentet biometrike, pasi më 1 janar atyre që u ka kaluar afati i vlefshmërisë nuk do mund të marrin shërbime.

“ID karta është çelësi, është kyçi që hap derën për të gjitha këto shërbime online apo dhe në mënyrë fizike. Ndaj e shfrytëzoj mundësinë sot për t’u bërë thirrje qytetarëve që të nxitojnë për të aplikuar pranë zyrave të ndryshme të aplikimit, si kjo që jemi sot, apo të tjera në gjithë vendin, me qëllim që mos të befasohen kur t’u kërkohet kartë e re identiteti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat