1.1 milion doza vaksine antiCOVID, çfarë ka siguruar deri tani Shqipëria dhe për çfarë po lobon Rama në SHBA

Shqipëria

1.1 milion doza vaksine antiCOVID, çfarë ka siguruar deri tani Shqipëria dhe për çfarë po lobon Rama në SHBA

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 23:34
Edi Rama

Në një kohë kur rastet me koronavirus po rriten çdo ditë, teksa ekspertët flasin edhe për një valë të tretë në muajt e parë të vitit 2021, vaksina antiCOVID duket e vetmja shpresë për të frenuar pandeminë.

Shqipëria është pjesë e aleancës GAVI dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX ka siguruar tashmë 1,114,000 doza vaksine (1 qytetarë bën dy doza, pra bëhet fjalë për 570 mijë qytetarë ose 20% e popullatës që janë dhe grupet vulnerabël).

Për këtë, nëpërmjet ligjit të miratuar “Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit, nëpërmjet këshillit të ministrave të republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, dhe aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (COVVAX facility)”, Shqipëria ka siguruar 1,114,000 doza vaksine, duke parapaguar 3.9 milion dollarë.

COVAX Facility (mekanizmi Covax) ka si objektiv të ndalojë fazën akute të infeksionit deri në fund të 2021 duke prodhuar dhe shpërndarë 2 miliardë doza vaksine dhe duke ofruar akses të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.

Aktualisht, portofoli i COVAX Facility përmban mbi 10 kompani të ndryshme që po merren me zhvillimin e një vaksine kundra SARS-CoV-2 dhe po punon për të lidhur marrëveshje edhe me kompani të tjera. Vaksinat po prodhohen bazuar në 5 teknologji të ndryshme që sa më shpejt të fillojë shpërndarja e dozave të vaksinës.

Veç kësaj, Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për të siguruar, siç u shpreh ai, sa më parë vaksinën kundër Armikut të Padukshëm. 

“Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri!Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara!”, shkruan Rama në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat