Financim i pagave dhe kontributeve/ 5 skema në funksion të nxitjes së punësimit

Shqipëria

Financim i pagave dhe kontributeve/ 5 skema në funksion të nxitjes së punësimit

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 19:04
Ilustrim

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se “janë 5 skema funksionale që mbështesin dhe nxisin punësimin në vendin tonë”.

Gjatë një konference për shtyp Denaj theksoi se “në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësimit Profesional, e cila regjistron numrin e punëkërkuesve, kemi një numër prej 93 mijë punëkërkuesish në fund të muajit tetor të këtij viti, nga 83 mijë që ishte në fillim të situatës së pandemisë”.

Ndërkohë që shpjegoi Denaj, “regjistri i të punësuarve në fund të shtatorit si numër i regjistruar nga administrata tatimore është pothuaj i barabartë me shtatorin e vitit të kaluar”.

“Ka një rënie me gati 10 mijë të punësuar nga biznesi i madh, por ka një rritje dhe zgjerim me gati 10 mijë të punësuar nga biznesi i vogël dhe të vetëpunësuar dhe kjo e ka bërë efektin të jetë i balancuar”, – tha Denaj.

“Skemat e punësimit janë në funksion të punëkërkuesve dhe ata duhet të aplikojnë”, – tha Denaj.

Konkretisht programi i punësimit ka në vetvete tre skema punësimi 4-mujore, 8-mujore dhe 12-mujore.

Skema e parë dhe e dytë targetojnë ata persona që rezultojnë të regjistruar pranë Administratës Tatimore dhe financon pagat minimale për gjysmën e kohës së punësimit dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që janë detyrim i punëdhënësit për të gjithë periudhën

Skema e tretë e punësimit është 12-mujore, dhe ka në fokus personat që nuk kanë qenë të regjistruar pranë administratës tatimore, por që deklarojnë se kanë qenë të punësuar.

Në këtë rast nëse punëdhënësi i kthen në punë, skema mbështetëse e qeverisë parashikon financimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin.

Ndërsa dy skemat e tjera janë të lidhura me aftësimin profesional.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat