Pas dhunimit të aktivistëve, Aleanca për Teatrin protestë me 3 kërkesa para Ministrisë së Brendshme

Shqipëria

Pas dhunimit të aktivistëve, Aleanca për Teatrin protestë me 3 kërkesa para Ministrisë së Brendshme

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 14:20
Aleanca për Teatrin

Një ditë pasi policia shoqëroi me forcë katër aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, kjo e fundit ka thirrur sonte në orën 18:00 një protestë para Ministrisë së Brendshme.

Tre janë kërkesat e Aleancës: Shkarkimi dhe procedimi penal i policëve që dhunuan mbrëmë dy prej aktivistëve, dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe ristrukturimi i Policisë së Shtetit që ajo ti rikthehet qytetarëve.

Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit akuzuan forcat e policisë për dhunë brenda ambienteve të komisariatit nr.1.

Dy prej të ndaluarve thanë pasi dolën nga ambientet e policisë se ishin qëlluar nga punonjësit e rendit brenda në komisariat.

Katër personat e ndaluar nga policia u liruan pas mesnatës ndërkohë që pohuan se ishin ndaluar në zonën e Pedonales në Tiranë pranë ish-godinës së Teatrit Kombëtar ku ishin duke xhiruar video.

Deklarata e plotë:

Dje disa nga pjestarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Astrit Seranaj, Donald Martini, Gentian Hasani, dhe Ergys Mërtiri janë ndaluar dhunshëm nga policia në përpjekjen e tyre për të bërë liven e përditshëm para sheshit të teatrit dhe më pas janë shoqëruar forcërisht në komisariat pa asnjë arsye, përgjatë së cilës është ushtruar dhunë psikologjike.

Brënda ambjenteve të komisariatit dhuna është përshkallëzuar. Në prani të dhjetëra efektivëve të policisë, disa prej tyre janë përpjekur të zhdukin provat nga celulari i Ergys Mërtirit, të tjerë kanë goditur në fytyrë me grushta dhe shkelma Astrit Seranaj dhe Donald Martinin koreograf i njohur, pikërisht ditën që ai fitoi një çmim prestigjoz në Los Angeles Usa duke ngritur lart kulturën  shqiptare.

Në kohën kur Komisionerja për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut në Strasburg Znj. Dunja Mijatoviç i bën thirrje qeverisë shqiptare të respektojë të drejtën e tyre për protestuar ndodh krejt e kundërta: Policia e Shtetit dhunon aktivistët e Teatrit duke shkelur hapur ligjin e Policisë.

Ky veprim i Policisë së Shtetit e ka fillesën tek dhuna e ushtruar më 17 maj kur shëmbja e Teatrit filloi përgjatë kohës kur mbrojtësit e Teatrit ishin ende brenda dhe ende nuk po ndalet edhe pas protestave që i shkaktoi vrasja e të riu Klodian Rasha.

Ky veprim tregon se Policia e Shteti nuk ka reflektuar për dhunën që po ushtron ndaj protestuesve dhe fjalës së lirë por tregon se filozofia e saj është pikërisht dhuna për njerzit që kërkojnë të drejtat e tyre, ndërkohë që duhej të ishte kapja e keqbërësve dhe kriminelëve.

E konsiderojmë këtë një akt shumë të rëndë që cënon të drejtat dhe liritë e njeriut në Shqipëri ndaj kërkojmë:

1. Marrjen a masave nga Policia e Shtetit ndaj efektivëve që ushtruan dhunën pa motiv, shkarkimin dhe procedimin penal të tyre.

2. Shkarkimin dhe procedimin penal të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Z.Ardi Veliu.

3. Ristrukturimin e Policisë së Shtetit që ajo ti rikthehet qytetarëve.

Sot në orën 18.00 në sheshin para Ministrisë së Brendshme.

Së bashku për ti rikthyer dinjitetin Policisë së Shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat