Misteri i zhdukjes së sipërmarrësit italian në Shqipëri

Shqipëria

Misteri i zhdukjes së sipërmarrësit italian në Shqipëri

Më: 19 janar 2021 Në ora: 07:10
Davide Pekoreli

Ish-arbitri dhe sipërmarrësi i shkëlqyer italian Davide Pekoreli është zhdukur që prej 10 ditësh në rrethana ende të paqarta, në Shqipëri.

Kështu, La Nazione shkruan këtë të hënë, se për 45-vjeçarin nuk dihet më asgjë që prej 6 janarit, kur mori një makinë me qira në Tiranë, e cila u gjetë tërësisht e djegur natën mes 7 dhe 8 janarit në Pukë, në një zonë të izoluar mes maleve, në afërsi me Kosovën.

Burime të policisë lokale për mediat italiane konfirmojnë se hetimet mbi fatin e ‘turistit të huaj’ po vijojnë dhe nuk përjashtohet asnjë pistë. Hetimet mësohet se po ndiqen edhe nga Interpol. Nuk është ende e qartë nëse brenda makinës Skoda Fabia janë gjetur ose jo pjesë të trupit.

Fakt, thotë La Nazione, është se partnerja e tij, një shqiptare e cila jeton në Valtiberina, i ka sjellë policisë sende personale të sipërmarrësit, të nevojshme për krahasimin e ADN-së.

“Nuk di nëse Davide i ka shkelur në kallo dikujt“- kjo është fjalia që partnerja e tij, e prekur, i ka thënë dhjetëra punonjësve të parukerisë në pronësi të tyre, në qendrën tregtare në Valtiberino.

Por përse kishte ardhur Pecorelli në Shqipëri?

Kohët e fundit ai mësohet se udhëtonte shpesh drejt vendit tonë, për çështje biznesi, kryesisht për tregtinë e lazerave për qendrat estetike dhe produktet e flokëve. Mbi të gjitha lazerat janë makineri të kushtueshme, e mesa duket mes Tiranës dhe Vlorës, Pecorelli po përpiqej që të gjente klientë.

Gjithnjë sipas mediave italiane, kjo lëvizje e 45-vjeçarit duket se vinte edhe për shkak se në Itali, biznesi nuk po i shkonte mirë si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia.

Ish-arbitri kishte probleme si me hotelin me dy yje në Lama, ashtu sikurse edhe me qendrat estetike dhe dyqanet e parukerive në San Giustino, Sansepolcro, Città di Castello dhe Corciano.

Hetimet në vendin tonë për zhdukjen e 45-vjeçarit i konfirmoi edhe policia shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat