Më mirë vonë se kurrë! Presidenti Meta i jep Shkëlqim Muçës Titullin “Mjeshtër i Madh”

Shqipëria

Më mirë vonë se kurrë! Presidenti Meta i jep Shkëlqim Muçës Titullin “Mjeshtër i Madh”

Më: 20 janar 2021 Në ora: 17:21
Ilir Meta dhe Shkëlqim Muça

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekoruar sot me Titullin “Mjeshtër i Madh” ish-futbollistin e Tiranës, Shkëlqim Muça.

Presidenti dekoroi pak kohë më parë disa ish-lojtarë të brezit të tij, dhe ndoshta nga lënia në harresë, pas ndonjë kritike, ka mundur të “korigjojë gabimin”. Gjithsesi, Muça ka qenë një nga lojtarët më të shquar të Tiranës në vitet ’80, pjesë e një brezi të shkëlqyer futbollistësh bardheblu, të cilët bënë epokë. Më tej Shkëlqim Muça, spikati edhe si trajner dhe drejtues i klubit “Tirana”, duke seleksionuar trofe të shumtë. Ai mbetet edhe sot një nga specialistët më të mirë të futbollit shqiptar dhe si i tillë, meritonte çmimin “Mjeshtër i Madh”, me të cilin u nderua sot nga kreu i shtetit.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

Për tifozët bardheblu dhe ata kuqezi, por jo vetëm, Shkëlqim Muça është padyshim një nga legjendat e futbollit tonë.

Ai hyri me meritë në historinë e sportit shqiptar, si truri, dirigjenti dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit” dhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin si titullar me “Shpresat” në 1981, si kampionë të Ballkanit, për të vijuar me disa tituj Kampion dhe Kupa Republike me “Tironën vija-vija”.

Jashtëzakonisht i talentuar dhe virtuoz me topin, asistues brilant, i dalluar për fantazinë në fushën e blertë, sulmues befasues dhe gjuajtës rezultativ, Shkëlqim Muça u kthye në burim frymëzimi për gjeneratat e reja të futbollistëve.

Sportdashësit e viteve ’80 e mbajnë mend shumë mirë kur bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, treshja e papërballueshme për kundërshtarët, që shënoi rreth 400 gola, nga të cilat 87 vetë Muça.

Pa harruar kontributin e tij të vyer në fitoren 2-0 me Belgjikën e madhe të asaj kohe, ku padyshim ai mbajti një peshë shumë të madhe.

Në vlerësim të talentit, kontributit dhe rezultateve të larta të arritura, si futbollist e si trajner, duke nderuar fanelën bardhë e blu dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive, kisha sot kënaqësinë e veçantë të nderoj Shkëlqim Muçën, me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat