Avokati i “21 janarit” zbulon kërkesat e familjarëve të viktimave: Të krijohen kushtet ligjore që këto ngjarje…

Shqipëria

Avokati i “21 janarit” zbulon kërkesat e familjarëve të viktimave: Të krijohen kushtet ligjore që këto ngjarje…

Më: 21 janar 2021 Në ora: 20:47
Dorian Matlija

Avokati që po merret me çështjen e 21 janarit, Dorian Matlija, tha se qeveria shqiptare duhet të ndjejë detyrimin për të zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.

Gjatë fjalës së tij avokati theksoi se edhe pas përvojës së krijuar më 21 janar, ku mbetën të vdekur 4 persona, ende nuk janë krijuar kushtet ligjore që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Ai tha se në Shqipëri ende ka ligje që mund të dërgojnë Gardën e Republikës në ripërsëritjen e situatave të tilla.

“Në lidhje me këtë ngjarje ka shumë mundësira të trajtohet, qoftë në aspektin moral, material. Patjetër që kjo pjesë, shpallja e tyre dëshmorë të atdheut, është pozitive. Unë besoj vetë që ata janë në kuadrin që të jenë dëshmorë, sepse kanë dalë për të ushtuar një të drejtë të tyre kushtetuese. Patjetër që përveç kësaj detyrimet e qeverisë është të dëmshpërblejë këto familje që faktikisht kjo është përmbushur. Por ka detyrimin të zbardhë të gjithë ngjarjen.

Ka dhe një detyrim tjetër, që të krijojë të gjitha kushtet e garancitë ligjore që kjo ngjarje të mos ndodhë më. Ne kemi ende sot ligje që mund të çojë gardën e republikës në të tilla raste. Pra ne nuk kemi zgjidhur gjërat kryesore, të zbardhim të vërtetën dhe të nxjerrim leksione nga këto ngjarje. Me të drejtë familjarët e të rënëve të 21 janarit, thonë që kjo që u bë (shpallja Dëshmorë të Atdheut) është më e pakta.

Ne kemi një situatë ku të paktën qeveria të bënte përpjekjen e saj, jo të fshihej pas fshehtësisë dhe koklavitjes, por të paktën të tentojë dhe dështojë, se sa ta bëjë fare një gjë të tillë. Janë shumë njerëz që janë interesuar në këtë çështje, që kanë ofruar ndihmën e tyre, të cilët nuk janë konsideruar kurrë. Kjo do të ishte një kauzë e bukur për shumë juristë, për të dhënë kontributin e tyre personal. Unë mendoj që koklavitja të bën të stepesh. Por nëse nuk ke interes, unë nuk mendoj që ka dikush interesa të mbrapshta. Ajo që qeveria mund të fitonte në mënyrë politike e fitoi. Kaq i intereson qeverisë, pjesa e tjetër është angari. Unë kështu e shoh, një angari që qeverisë nuk i intereson sepse i intereson vetëm 4 familjeve. Ka mbaruar funksionin e saj politik kjo ngjarje.

Familjarët kërkuan të hetoheshin dy aspekte të rëndësishme. Cilat janë problemet që në Shqipëri nuk po zgjidhen që të mos ndodhin raste të tilla. Dhe së dyti kur të ndodhin këto ngjarje, si do të gjykohen, hetohen dhe ndëshkohen. Në të dyja këto ka pasur dështime spektaolare drejtësia shqiptare, duke filluar që nga prokuroria e vazhduar me vendime gjyqësore. E më pas një pjesë e tërë e lënë jashtë hetimit që ka mbetur e errët. Unë mendoj që ende nuk jemi për ta futur në histori këtë çështje, ende ka gjëra për të zbuluar që historia të nxjerrë leksionet e veta më pas”, u shpreh Dorian Matlija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat