Këshilla e Ylli Manjanit për opozitën: Të krijojë frymën, përndryshe Shqipëria ta gëzojë monizmin

Shqipëria

Këshilla e Ylli Manjanit për opozitën: Të krijojë frymën, përndryshe Shqipëria ta gëzojë monizmin

Më: 21 janar 2021 Në ora: 23:56
Ylli Manjani

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, është i mendimit se opozita duhet të ndryshojë qasje dhe të krijojë frymën e duhur për të bërë bashkë pakënaqësinë e qytetarëve, pasi nëse nuk e bën këtë ajo nuk do t’i fitojë zgjedhjet.

Duke komentuar rezultatet e sondazhit të parë mbi perceptimin e prirjes së votës në emisionin “Barometri Politik” të Ilva Tares në Euronews Albania, Manjani kritikoi opozitën që pavarësisht se ka pasur përballë një qeveri, sipas tij, plot me skandale, ende nuk ka mundur të krijojë frymën e duhur për të siguruar rrotacionin.

Manjani personalisht tha se ishte i qëndrimit se Shqipëria ka nevojë tashmë për rrotacion politik, por nuk e shprehu qartësisht nëse besonte se opozita aktuale mundet ta sigurojë këtë rrotacion.

“Me këtë perceptim të sondazhit, nëse do të sillte këtë rezultat [PS:41.8%; PD:28.2%; LSI: 10.3%], atëherë Shqipëria ta gëzojë shokun Edver [lojë fjale, etiketim me emrin e diktatorit Hoxha], sepse në zgjedhjet e ardhshme më pas do të shkojmë me sondazhe jo me zgjedhje,” – parashikoi i revoltuar Manjani.

Në komentin e tij ish-ministri i Drejtësisë këshilloi opozitën që “përballë formulës moniste të PS-së për zgjedhjen”, duhet me patjetër “të krijojë frymën” dhe “të përmbledhë pakënaqësitë e qytetarëve”.

“Të kesh një qeveri me kaq skandale me kaq të zeza dhe të mos bësh dot pakënaqësinë për vete është problem shumë i madh, plus kësaj opozitës i duhet një marsh tjetër. I duhet medoemos të çmontojë efektet kriminale moniste të formulës zgjedhore. [...] Për ta mposhtur këtë, monizmi u mposht... mbani mend? Me organizim, me bashkim dhe me frymë, ky është mesazhi im. A ka mundësi? S’ka gjëra të pamundura, por ky është leximi i këtij sondazhi,” – tha Manjani, duke theksuar se synimi i PS-së ishte të ndalonte koalicionet dhe opozita duhet të gjejë me patjetër një skemë se si të bashkohet në zgjedhje.

Komentet Manjani i bëri gjatë emisionit të parë të “Barometrit Politik”, i cili solli rezultatet e para të sondazhit për prirjen e votës për periudhën e fund-dhjetorit dhe fillim-janarit.

Sipas sodnazhit, Partia Socialiste perceptohej si parti e parë (41.8%), Partia Demokratike parti e dytë (28.2%), Lëvizja Socialiste për Integrim (10.3%), ndërkohë të paidentifikuar për prirjen rezultuan 16.1% të të pyeturve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat