Gjykata miraton kërkesën e SPAK për të shtyrë dhe 6 muaj sekuestron e pasurive të Ylli Ndroqit

Shqipëria

Gjykata miraton kërkesën e SPAK për të shtyrë dhe 6 muaj sekuestron e pasurive të Ylli Ndroqit

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 18:10
Ylli Ndroqi

Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për të shtyrë dhe 6 muaj sekuestron e Ora News me pronar Ylli Ndroqin.

Është zbardhur sot vendimi që ka pranuar kërkesën e prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Premci për të shtyrë me 6 muaj sekuestron e Ora News për efekt hetimi.

Në dosjen voluminoze të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, emri i Ylli Ndroqit lidhet me trafikun e drogës.

Sipas një njoftimi zyrtar, në vitin 1998, Ylli Ndroqi rezulton të jetë arrestuar në Turqi, nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. “Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë “ESAS”, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu”.

SPAK, shpjegon se “nga të dhënat e siguruara nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Zyrën Qëndrore Kombëtare, Interpol-Ankara, Turqi, është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri Ndroqi, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) Pasmaciu (Pasmaçiu), i arrestuar në Turqi”.

Po ashtu sipas SPAK-ut, “Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italiane kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit “BAKLLAVA”, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos”.

Në kuadër të ligjit Antimafia, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh automjetesh luksoze, pronash, dhe aksionesh të zotëruara nga Ylli Ndroqi dhe familjarët e afërt me të, duke qenë se sipas njoftimit, “nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali”.

Gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për administrimin e pasurive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat