Basha, biznesit: Do keni një derë ku të trokisni, që nuk do të hapet me kafe, zarfe, telefonata, miqësi!

Shqipëria

Basha, biznesit: Do keni një derë ku të trokisni, që nuk do të hapet me kafe, zarfe, telefonata, miqësi!

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 11:04
Lulzim Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka dëgjuar me vëmendje problemet që i paraqitën sot përfaqësuesit e Shoqatës së Energjisë së Ronovueshme në një takim ku ai shpalosi Programin e PD për sektorin e Energjisë.

“E vlerësoj jashtëzakonisht këtë takim dhe qasjen tuaj koncize, konkrete dhe të drejt, - tha Basha. -  Shpresoj që në fillim të takimit të kem qenë i drejt për drejt dhe unë me ju sa i takon detyrave dhe përgjegjësive që do të marrim në bazë të angazhimeve që kemi shprehur përpara jush. 

Asgjë nga ato që kemi shpalosur nuk përbën premtim por përbën një angazhim. Asgjë prej tyre nuk është në vet vete por është pjesë e një plani të tërë masash dhe vet platforma jonë për energjinë është pjesë e një plani të madh ekonomikë dhe duke u bazuar në përvojat më të suksesshme të cilat janë të dy llojeve.

Janë përvoja suksesi ku siç e cekët dhe vet shtetin e keni pasur aleatë në një mision të përbashkët, jo ortak por aleatët dhe është po kështu sukses të mbijetosh kur shtetin e ke armik apo e ke aleatë që të futet me zorrë, me dhunë në xhep apo në aksione apo të zhvendos me dhunë biznesin nga energjia apo prodhimi drejt trafiqeve të paligjshme me koston që paguajnë pastaj që u përmend edhe nga ju. Problemet besoj i parashtruam shumë qartë.

Analizën e këtyre problemeve kemi dy vite që e bëjmë.

Zgjidhjet tona janë zgjidhje që funksionojnë.

Problemi i parë do keni një derë, jo një mijë dyer ku të shkoni të trokisni edhe ajo derë nuk do hapet me kafe, me zarfe, me telefonata apo me miqësi por do të garantojmë transparencë totale sipas përvojave më të mira anti-korrupsion dhe transparencë totale që ajo derë të jetë derë e shërbimit ndaj jush.

Dhe shërbimi i vetëm që do kërkojmë ne nga ju janë këto 15 mijë vendet e punës që keni hapur kur ndërtuar këto që keni deri më sot, t’i dyfishoni.

Shërbimi i vetëm që do të  kërkojmë ndaj jush është të bëheni pjesë mbi bazat e konkurrencës së drejt të një tregu të liberalizuar që të ulet çmimi i energjisë që është skandaloz për industrinë shqiptare dhe na e ka nxjerr 95% të industrisë shqiptare jashtë konkurrencës me Ballkanin, mos të bëhet fjalë për gjera të tjera.

 Favori i vetëm që do të kërkojmë ndaj jush është që ai që investoj 60 dhe kishte 90 të tjera për të investuar ta ndiej që tani ka ardhur momenti të vij t’i investoj ato 90 të tjera.

Ai tjetri që ka investuar në hidrocentrale dhe ka menduar të investoj ku di unë në minerale apo diku tjetër ta shohë që Shqipëria është përsëri e hapur për biznes, që është një vend oportunitetesh të jashtëzakonshme mundësish natyrore, burime natyrore dhe mundësish njerëzore dhe një qeverie që është aleate e sipërmarrjes. Këto janë favoret e vetme që kërkojmë ne ndaj jush.

Sigurisht do garantojmë fair-play, është detyra jon. Pjesë e kësaj detyre është ti japim fund monopoleve de fakto dhe De Juro që janë krijuar.

Për ne interesi publik është themeli i gjithçkaje. Sa kohë që ju na kurseni 230 milionë euro me prodhimin tuaj. Sa kohë që ju na bëni që 300 milionë euro shtesë me të cilat importojmë energji, ti çojmë për rrije rrogash, pensionesh, për mjekët, për mësuesit, për shkolla të reja, për rrugë, për subvencione për fermerët ju jeni aleatët tanë dhe është detyra jonë nesër t’ju qëndrojmë në krah për mos t’ju thënë t’ju mbajmë në supe në vend që t’ju hipim super ju, mbi qafë.

Kjo është përqasja jonë, ky është programi ynë, këto janë angazhimet tona. Janë konkrete, janë me shkrim dhe angazhimi i të gjithë angazhimeve është që në qoftë se s’i mbajmë këto angazhime ne nuk dalim më para jush të kërkojmë një mandat tjetër.

Nuk ka asnjë pengës për mos t’i marrim këto angazhime. Absolutisht as edhe njëlloj pengese, vetëm vullneti politik, vetëm dëshira për të bërë diçka për këtë vend, vetëm dashuria për këtë vend dhe bindja se nuk i mungon asgjë përveçse një qeverisje e mirë, një qeverisje normale, tjerat i keni bërë dhe vazhdoni i bëni ju dhe kolegët tuaj në çdo sektor dhe profesionistët e lirë edhe mjekët, edhe mësuesit i vetmi që s’ka bërë detyrën 8 vjet ka qenë kryeministri, e vetmja që s’ka bërë detyrën 8 vjet ka qenë qeveria. E unë nuk ju garantoj as nuk ju premtoj mrekulli por normaliteti jua premtoj. Dhe kur flas për normalitet flas për normalitet europian.

Qeveria që do të vijë  do të jetë një qeveri e kualiteteve dhe e përgatitjes europiane. Europiane në radhë të parë do të thotë që nuk do të ketë një mijë myhyr-mbajtës që të shkoni ju të faleni kudo, të kujtohen ata një herë në dy javë për këtë licencë, për atë leje apo atë leje apo autorizim. Jo do ketë një derë për ju dhe ajo derë do shërbejë me transparencë, do shërbejë sipas ligjit do shërbejë me dinjitet. Pa bërë lojë ping pongu midis pushtetit qendror dhe pushtetit vendor.

Mbështetja për energjinë e rinovueshme dhe në veçanti për diversifikimin por dhe për hidriken e thashë është shtylla kurrizore dhe vazhdon të mbetet shtylla kurrizore, por diversifikimi do të jetë prioritet absolut, është prioritet kombëtar.

Është një ndër prioritetet kombëtare krahas turizmit, krahas bujqësisë, krahas thithjes së investimeve të huaja në fushën e teknologjisë së informacionit dhe transferimi i teknologjisë së përparuar janë fushat më prioritete për ne për të cilat nuk do të kursejmë as politikat subvencionuese por pa diskutim do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar në prioritetet tuaja dhe për t’iu nxitur për të investuar më shumë. Përfituesit do të jenë shqiptarët.

 Përfituesit e parë do të jenë ata mijëra njerëz që ju do merrni në punë, kur te ndizni dhe të rindizni dhe një herë motorët tuaj të investimeve.

Përfituesit do jenë ata miliona shqiptarë që do e paguajnë çmimin e energjisë më të lirë.

Përfituesit do të jenë fëmijët e shqiptarëve që do të thithin ajrin më të pastër dhe do të kenë ambientin më të pastër dhe këtu padiskutim që ne do të jemi të ndershëm por të prerë në angazhimet që keni dhe duhet të mbani për sa i përket jo thjeshtë mjedisit, rehabilitimit të mjedisit, mbjelljes siç thatë apo të rimbjelljes së bimësisë së pemëve, por dhe për sa i përket komunitetit në raport me rrjetin e infrastrukturës ku padiskutim kjo duhet të shikohet si një partneritet, kjo është pjesa e partneritetit me shtetin sepse janë vërtetë zona që përfitojnë punësim por ku padiskutim mundësitë tona për të mbuluar me një kohë të shkurtër me investime me infrastrukturën do vazhdojnë të mbeten relativisht të kufizuara ndaj edhe këtu duhet të vazhdojmë të mbështetemi tek njëri-tjetri.

Kjo do na kalojë nga një formulë ku humbim të gjithë me përjashtim të një njeriu apo një grushti njerëzish, siç është sot dhe ka 8 vjet që vetëm njëri përfiton dhe ata të lidhur me të që janë një grusht njerëzish dhe gjithë të tjerët humbasin, kjo do të na çojë drejt një formule tjetër  ku do fitojnë të gjithë por në radhë të parë konsumatori shqiptar privat dhe sipërmarrësi shqiptar me çmimin e energjisë, në radhë të dytë ata që kërkojnë punë dhe do ta gjejnë punën më afër se kurrë afër shtëpisë së tyre, në radhë të tretë tek një industri që kemi shpresa të arsyeshme se do të jetë motor rritje dhe zhvillimi kombëtar por dhe shtetëror se jeni të gjithë taksapagues dhe sigurisht e fundit shteti shqiptar që ju siguroj se këto taksa nuk do ti shpërdorojë ashtu siç ka ndodhur deri më sot por do ti përdor për të nxitur edhe më tej një klimë ekonomike punësimi, mirëqenieje, rrogash të larta, kostoje jetese përballueshme e në veçanti një strukturë kostoje ekonomike ku energjia mbetet kyç për konkurrueshmërinë.

Ndaj dua t’iu drejtohem sot dhe t’iu them kjo është një sipërmarrje e përbashkët, është një sipërmarrje kombëtare dhe 25 prilli do ta ndajë, do të përfitojë prapë ai që ka përfituar 8 vjet bashkë me një grusht njerëzish që ngrysen e gdhihen në paradhomat e tij në kryeministri sot apo në vilat e Durrësit dhe të Dhërmiut apo në Surrel, e do të vazhdojë emigrimi dhe largimi i shqiptarëve që do të thotë shkatërrimi i vendeve të punës, që do të thotë emigracion masiv i rinisë apo në 25 prill do të humb ai dhe do të fitojnë të gjithë të tjerët?! Sipërmarrësit, punëmarrësit familjet e tyre, fëmijët e tyre, e gjithë Shqipëria. Kjo është zgjidhja më 25 prill dhe këtë pa pikë kompleksi ju ftoj të bëni angazhimin tuaj kombëtar, në 25 prill ta presim këtë nyjë gordianë që mban të lidhur ekonominë kombëtare dhe të bëhemi të gjithë bashkë pjesë e një zgjimi kombëtar, një zgjimi ekonomik kombëtar ku unë do ti qëndroje angazhimit tim, dhe qeveria e ardhshme do t’i qëndrojë angazhimit që energjia e rinovueshme të jetë prioritet kombëtar dhe ti prijë këtij zgjimi ekonomik kombëtar.”

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat