Publikuan përgjimet e Ndrangheta, Erion Veliaj kërkon mbylljen e televizionit të njohur!

Shqipëria

Publikuan përgjimet e Ndrangheta, Erion Veliaj kërkon mbylljen e televizionit të njohur!

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 15:01
Erion Veliaj

Një muaj nga përgjimet e Ndraghetës kryebashkiaku i Tiranës është hedhur në sulm ndaj medias, e cila publikoi hetimin e Antimafias italiane. Presidenti i Yldon Media Yldon Group, përmes një deklarate kujton se Veliaj është nga politikanët e rrallë që pa marrë votë u katapultua në Bashkinë e madhe.

“U bë një kohë e gjatë, që në përmbledhjen ditore informative nuk gjej deklaratat e një njeriu që është votuar si Qytetar i Parë i Tiranës nga vetëm 15% e banorëve të saj, që pretendon të jetë Kryeministri i ardhshëm i vendit pasi shkatërroi kryeqytetin, që mban dhjetra “ushtarë” në çetat e rrjeteve sociale për t’u portretizuar si njeriu i punës, por që njihet si kampioni i mashtrimeve dhe shpifjeve pa iu skuqur cipa.

Këtë e kam bërë me ndërgjegje të plotë për të ruajtur higjenën mendore dhe respektin për veten ndaj një zyrtari e politikani që nga aktivist i Mjafti-i u gdhi si kryetar i partisë G-99, u ngrys pa marrë asnjë votë dhe u katapultua në Bashkinë më të madhe në vend duke vendosur rekorde historike mashtrimi e abuzimi të vërtetuara më fakte, dëshmi, raporte dhe hetime ndërkombëtare”.

Edhe një herë Ndroqi kujton se është humbje dite dhe shkelje e etikës së medias të publikosh lajme të servirura të gatshme, duke ia servirur publikut si të vërteta.

Por kërkon që gazetarët të ushtrojnë detyrën e tyre, siç dinë ta bëjnë pa censurë.

“Duke e konsideruar një politikan pa identitet, një zyrtar mashtrues e abuzues, një qytetar në nivele rrugaçërie, nuk i lejoj vetes të ndot ditën time me materialet e filmuara, montuara e sajuara në zyrat që mbahen me paratë e taksapaguesve shqiptarë nga dhjetra llangosës të imazhit të një sharlatani e shantazhuesi ordiner.

Madje dhe lajmin e bujshëm për përgjimet e Ndragheta-s që implikojnë edhe Bashkinë e Tiranës dhe vetë kreun i saj kam mundur t’i mësoj një ditë më pas për shkak se isha nën trajtim intensiv prekur me bashkëshorten nga Covid 19″.

Deklaratat për dy ditë me rradhë ndaj televizionit i cilëson shkelje të hapur, dhe presion ndaj medias dhe drejtësisë.

“Në mënyrën më tinëzare, të ulët e të papërgjegjshme, në shkelje të ligjeve dhe etikës, qytetari i parë i Tiranës, i vetëshpalluri si pretendent për Kryeministër të vendit, rilindasi që nuk u konsiderua asnjëherë socialist në partinë që synon të marrë vjedhurazi, si çmimet ndërkombëtareme të cilat mashtron veten, ka shpifur mbi personin tim dhe ka shantazhuar rëndë gazetarë e drejtues mediatikë. 

Ylli Ndroqi në respekt të procedurave ligjore është vënë në dispozicion të drejtësisë, duke lejuar organet kompetente të bëjnë vlerësim të plotë të pasurisë dhe personit. Me fakte e dëshmi, por krejt hapur për të çuar deri në fund procesin gjyqësor, respektoj çdo procedurë të shtetit ligjor dhe pushteteve të pavarura”.

Por në të kundërt Veliaj nuk preferon që të lejojë drejtësinë të bëjë punën e saj në lidhje me përgjimet e SPAK.

“Në ndryshim nga i përgjuari i Prokurorisë së Antimafias, kryebashkiaku Veliaj, njeriu që me fakte e dëshmi ka takuar e pritur trafikantë dhe njerëz të lidhur me mafian në zyrën shtetërore, njeriu që është nën hetim nga SPAK në cilësinë e Qyetarit të  Parë të Tiranës, njeriu që rezulton me fakte si shantazhues mediash, gazetarësh.

Ky zyrtaruc me ambicje kryeministrore, në vend që të vijojë punën për realizimin e premtimeve të pambajtura, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë, ka nisur atë që di të bëjë më mirë, kërcënimet ndaj mediave, shantazhet ndaj meje personalisht, shpifjet dhe denigrimin, duke më akuzuar si trafikant droge pa asnjë fakt, duke bërë rolin e prokurorit e gjykatësit.

E bën këtë njeriu që rezluton në përgjime të Antimafias, me firma në kontrata të dyshimta, që kanë ushqyer biznese nën hetim edhe në Italinë fqinje për pastrim parash, zyrtari që me kërcënimet e tij ndaj medias i ka sjellë faturë qindra miliona euroshe taksapaguesve shqiptarë nga procese gjyqësore ndërkombëtare”. 

Ndroqi shton se nuk ka mohuar asnjëherë që SPAK ka nisur verifikimin e pasurisë.

“Por po ashtu i kam qëndruar besnik kërkesës që drejtësia të bëjë punën e saj dhe në asnjë moment nuk kam ndërhyrë për të ndikuar, apo për të përdorur televizionin për të cënuar a intimiduar punën e prokurorëve. Megjithëse kam pranuar qysh në krye se këto veprime e kanë frymëzimin nga një prapaskenë e hapur politike”.

Me deklaratat e bëra, Veliaj foli hapur dhe pa asnjë mëdyshje se synimi i tij është mbyllja e televizionit dhe intimidimi i tyre.

“Ai foli pa u trembur se synon mbylljen e televizionit, duke shantazhuar gazetarët, pronarin, madje duke ndërhyrë edhe në punë e organeve të drejtësisë, duke dhënë verdikte para tyre. Në një vend demokratik, deklarata e një titullari të këtij niveli, për të mos thënë siç shprehet ai me bindje se do të jetë Kryeministri i ardhshëm i vendit, do të pasoheshin nga protesta të gazetarëve dhe të shoqatave në mbrojtje të medias, por dhe të shoqërisë civile.

Media ka detyrë zbulimin e së vërtetës, Ylldon Media Group këtë e ka parimin kryesor të punës së vet, duke mos u tutur kurrë nga asnjë lloj presioni i çdo qeverie, të majtë a të djathtë. Dhe do të vijojë të punojë pa u stepur 24 orë në 24 në shërbim të interesit publik për të zbardhur të vërtetat për fshehjen e të cilave investohen aq shumë zyrtarë të takëmit të Erion Veliajt. Në ndryshim prej tij, ne zgjedhim t’u përmbahemi vetëm fakteve”.

Në raportin e gushtit të vitit 2020 “Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri”, hartuar nga “Nisma Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar”, u konstatua se rreth 60% e firmave të ndërtimit që kanë marrë leje në periudhën 2017- 2019 në kryeqytet, nuk justifikojnë burimet e tyre financiare.  

Për këtë periudhë 3 vjeçare janë pastruar në ndërtim rreth 1.6 miliardë euro.

Task Forca Financiare e MONEYVAL, në shkurt 2020 do të theksonte se ne jemi i vetmi vend europian që hyjmë në “zonën gri” për pastrimin e parave duke u renditur përkrah shteteve të botës së tretë. 

Po ashtu Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vëren se pastrimi i parave në Shqipëri lidhet me “investimet në pasuri të patundshme dhe marrëveshjet zhvilluese të biznesit”.

“Dhe këto raporte e shumë artikuj të tjerë të agjensive prestigjoze të lajmeve qëndrojnë pezull mbi Tiranën, që Qytetari i parë i saj, Erion Veliaj e ka marrë peng duke i shkatërruar hapësirat e gjelbra, trashëgiminë historike e kulturore, duke e betonizuar e asfiksuar deri në rekorde të kobshme për shëndetin e banorëve të saj”.

Duke renditur faktet dhe jo gjuhën rrugaçërore, Ndroqi shton Erion Veliaj i premtimeve për “zero ndërtime në qendër të Tiranës” kur kërkonte votat e banorëve të saj, e shndërroi kryeqytetin në qendrën e betonit me më shumë se 4 milionë metër katrorë të dhëna për kantiere kullash.

“Me në krye Erion Velinë, Tirana po bëhet e papërballueshme për nga çmimet e apartamenteve. Sipas Numbeo, aktualisht Tirana është qyteti i dhjetë më i shtrenjtë në Europë nga 103 qytete të marra në shqyrtim për sa i përket çmimeve të shtëpive në raport me të ardhurat e qytetarëve, duke u renditur krahas qyteteve si Milano, Roma, Parisi, Londra. Me në krye Erion Velinë, Bashkia e Tiranës me zyrtarë të saj del dy herë me radhë në përgjimet e Antimafias italiane.

Në vitin 2020 prokuroria Italiane lëshon fletë arresti për Andrea Miglioranzin dhe hap dosje hetimi për kryetarin e bashkisë në Verona Flavio Tosin si të përfshirë në larjen e parave të Ndragetës.

Vetëm disa muaj pasi ishte bërë kryebashkiak, Erion Veliaj, do të firmoste një kontratë me afat prej 84 vitesh me kompaninë italiane Amia Verona, duke krijuar në kryeqytet një firmë me emrin Eco Tirana e duke patur partner pikërisht të akuzuarit si pjestarë të organizatës mafioze.

Në janar 2021, prokuroria e Antimafias italiane nxjerr mbi 50 fletë arreste dhe u dorëzon gazetarëve mbi 1600 faqe përgjime të bashkëpunëtorëve të Ndragheta-s, të cilat të çojnë deri tek Bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj”.

Tashmë Prokurorët e Posaçëm Anti-Korrupsion po administrojnë shkresa në Bashkinë e Tiranës, për të zbuluar më shumë rreth përgjimeve të grupit mafioz Ndrangehta. 

SPAK po heton Bashkinë e Tiranës për shpërdorim detyre në investime.

“Sipas KLSH-së, Bashkia e Tiranës ka realizim minimal për detyrimet për shërbimin e borxhit ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për nën-huatë e marra për zhvillimin e disa projekteve.

Dosja në SPAK ka shkuar për dijeni edhe në Ambasadën Amerikane në Tiranë, po monitoron punën e organeve hetimore. Me në krye Erion Velinë, Tirana është shndërruar në një ndër qytetet më të ndotura në Europë e botë dhe sipas një raporti të botuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, njerëzit në Shqipëri kanë më shumë shanse të vdesin nga ndotja.

Me në krye Erion Velinë, pesë vite nga zbatimi i ligjit të kërkuar nga Brukseli për të drejtën e informimit, Bashkia e Tiranës certifikohet nga Komsioneri për të drejtën e informimit si institucioni për të cilin ka pasur më shumë ankesa për refuzim të dhënies së informacionit, duke shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin, një nga më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit”. 

Në krye të Tiranës ishte Erion Veliaj kur Teatri Kombëtar u shemb me procedura antiligjore, apo kur humbasin jetën nga mungesa e sigurisë minorenë që punojnë në të zezë në projekte të Bashkisë. 

“Pra je deri në fyt me shkelje e abuzime, nën hetime dhe sërish me fodullëkun që ta jep një karrierë që nuk e ke ndërtuar me djersë e mund, shantazhon në nisje të një fushate elektorale duke zgjedhur këtë rrugë për t’i hapur vend vetes në partinë që nuk të ka pranuar dot kurrë si pjesë të saj, por thjesht i je imponuar.

Parti që kërkon ta marrësh me lidhje okulte, e nëpërmjet saj të ulesh me këto rekorde në karrigen kryeministrore, aty ku ka patur burra me identitet që kanë bërë ca punë të mira në këtë vend”.

Ndroqi fton Veliajn se nëse ka një fakt të vetëm që mbështet akuzat e ndaj Rtv Orës dhe ndaj tij ti publikojë, nëse ka një mesazh të vetëm ku i vihen gjoba, ku i kërkohen tendera, favore, leje ndërtimi, ti publikojë.

“Se i bie të jesh ti i akuzuari i madh për moskallëzim krimi. Nëse njeh trafikantë droge që drejtojnë media denoncoi në organet kompetente, apo druhesh se në të kundërtën diku dikush disponon mesazhet e kërkesat e tua për favore, deri duke orientuar bizneset për kontrata tek kati i nëntë i kullës së Vodafonit?

Nëse nuk ke fakte, dëshmi, prova, atëherë hesht dhe mos provoko si të jesh nga maja e Olimpit, sepse ti je një shërbëtor publik që duhet të japësh llogari për çdo lek e shërbim vjedhur, abuzuar e munguar banorëve të Tiranës që po ua nxin jetën përditë me taksa, gjoba, shpifje, beton e baltë”.

Por gjithçka ka nisur nga lajmet që televizioni realizon në terren dhe jo kronika të gatshme dhe nga sondazhet për zgjedhjet e 25 prillit.

“Ndoshta ti Lali e ndërton diskurin publik vetëm për të ndikuar sondazhet, që të bindësh socialistët të të votojnë, por ky është vetëm halli yt e nuk mund ta shndërrosh në problem të gazetarëve dhe medias.

Asaj medieje që i je qepur e nuk i ndahesh, sepse i fshihesh së vërtetës si djalli temjanit, i fshihesh vetes që nuk dihet kur e si e ke humbur, i fshihesh drejtësisë që nuk mund ta kontrollosh më me dreka e darka a shantazhe bajate.

Nuk i shpëton dot të vërtetës së dhimbshme, sado që je mësuar në komoditetin e mashtrimeve. Lali Eri, e vërteta nuk e dëmton kurrë një kauzë të drejtë”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat