Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës thellojnë bashkëpunimin

Shqipëria

Akademia e Shkencave dhe Universiteti i Tiranës thellojnë bashkëpunimin

Më: 10 mars 2021 Në ora: 22:40
Pamje nga takimi

Në një takim mes rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha dhe Kryetarit të ASH-së,  akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të kryesisë së Akademisë u shtruan për diskutim bashkëpunimi për një ligj të ri për shkencën, për ligjin e përdormit të gjuhës shqipe si dhe për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta 

Akademia e Shkencave në zbatim të reformës që ka ndërmarrë qysh në vitin 2020, pas lidhjes se marrëveshjeve me institucionet kryesore te arsimit të lartë, po zhvillon konsultime dhe takime me drejtuesit e tyre për zbatimin e konkretizimin e tyre.  

Këtë të martë, në ambientet e saj, u zhvillua një takim mes rektorit të Universitetit të Tiranës, prof. Dr. Artan Hoxha dhe Kryetarit të ASH-së,  akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të kryesisë së Akademisë për të diskutuar mënyrat dhe format e bashkëpunimit mes këtyre dy insitucioneve. Në tryezën e bisedimeve u shtruan për diskutim bashkëpunimi për një ligj të ri për shkencën, për ligjin e përdormit të gjuhës shqipe, për zhvillimin e veprimtarive te përbashkëta siç është Kuvendi mbarëshqiptar për Albanologjine e disa konferenca shkencore te fushave qe mbulon UT-ja si dhe forcimi i bashkëpunimit në organizimin e funksionimin e njësive të kërkim-studimit që janë ngritur pranë ASH-së dhe të Komisioneve të përhereshme,  gjithashtu. 

Akademia e Shkencave, me financim të qeverisë shqiptare do të realizojë tri projekte madhore, që janë hartimi i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, të Enciklopedise shqiptare dhe  të Historisë së shqiptarëve. Është hera e parë që këto projekte madhore të cilat kishin mbetur si tentativë, tani do të bëhen realitet. Ndaj bashkëpunimi me institucionet e larta arsimore dhe shkencore të vendit bëhet i domosdoshëm. 

Në takimin e zhvilluar, akad. Gjinushi paraqiti platormën e bashkëpunimit dhe theksoi se ASH-ja është e interesuar që projektet e  mëdha, strukturat kërkimore shkencore që janë ngritur pranë saj dhe veprimtaritë kryesore shkencore që do të organizohen në fushën e albanologjisë, apo shkencave të sakta të realizohen  me ndihmesën e profesoratit të UT-së. Rektori i UT-së, prof. dr. Artan Hoxha mirëpriti propozimet për bashkëpunim duke bërë sugjerimet përkatëse dhe vuri theksin te komunikimi i vazhdueshëm mes institucioneve në mënyrë që të respektohet hierarkia vertikale e strukturave universitare duke përfshirë në këtë proces departamentet, njësitë bazë dhe senatin. Ne takim u përmend si përvojë pozitive bashkëpunimi me rastin e propozimeve dhe vlerësimeve për anëtarësimet e reja në Asamblenë e ASH-së të disa profesorëve të këtij Universiteti, anëtarësime që u realizuan edhe me tërheqjen e mendimit të senatit dhe departamenteve të UT-së. 

Bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave dhe UT-së që do të pasohet edhe me marrëveshjet me insititucione të tjera të larta të vendit, synon që të angazhojë forcat më të mira shkencore të vendit në realizimin e projekteve madhore kërkimore e shkencore. Është hera e parë në këta vite të tranzicionit që shkenca shqiptare fillon të gjallërohet dhe projektet e mëdha që do të realizohen jo vetëm do të mbushin boshllëqe të ndjeshme në panoraman e shkencës shqiptare, por do të anagzhojnë me punë konkrete dhjetra shkencëtarë shqiptarë. 

Në këtë takim u përmend, gjithashtu, që bashkëpunimi mes ASH-së dhe UT-së shtrihet ne projektet kryesore te bashkëpunimit që ASH-ja do të realizojë me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke mundësuar që veprimtaria kërkimore shkencore të përfshijë të gjithë hapësirën shqiptare në projekte të përbashkëta,veçanërisht në fushat e albanologjisë. 

Në fund të diskutimeve të pranishmit konstatuan se takimi shërbeu që marrëveshja të konkretizohet në detaje dhe të gjitha çështjet që u shtruan për diskutim morën një përgjigje të kënaqshme nga të dyja palët. 

E reja tani është se prej disa kohësh marrëveshjet që nënshkruhen bëhen realitet dhe gjejnë zbatim të menjëhershëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat