Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Arjan Salën

Shqipëria

Presidenti Meta vlerëson me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Arjan Salën

Më: 13 prill 2021 Në ora: 16:54
Arjan Sala, Ilir Meta

Arjan Sala, 31-vjeçari që vdiq në zjarrin e rënë në një qendër tregtare në Tiranë është vlerësuar me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

Arjan Sala u vetësakrifikua për të shpëtuar jetët e punonjësve dhe kolegëve nga zjarri i cili shpërtheu në ambientet e poshtme të ndërtesës.

Ndërkohë presidentit Meta i akordoi Arjan Salës dekoratën e lartë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat ai hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”.

Në fjalën e tij Meta iu drejtua familjarëve dhe miqve të të ndjerit Arjan Sala, duke thënë se vepra heroike e Arjanit imponon respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të atyre që ai u shpëtoi jetën

Meta: Kam detyrimin të organizoj sot këtë ceremoni solemne për t’i akorduar titullin e lartë ‘Dekorata e Artë e Shqiponjës’, Arjan Salës, njeriut tuaj më të dashur, që i tregoi mbarë Shqipërisë shembullin e shkëlqyer të përgjegjshmërisë dhe ndjenjës më të lartë qytetare e humane ndaj detyrës, ndaj kolegëve, por mbi të gjitha të dashurisë për njerëzit. Ndajmë bashkë me ju familjarët e tij dhimbjen për humbjen e tij të parakohshme, ashtu sikurse jemi krenarë për veprën e tij sublime. Njëkohësisht jemi të bindur se përmes këtij akti, pavarësisht pasojave tragjike me humbjen e pazëvendësueshme për familjen e tij, Arjani na ka dhënë një shembull të gjithëve, se si duhet të sakrifikojmë dhe se si duhet të tregojmë dashurinë për njëri-tjetrin.

Vepra heroike e Arjanit imponon respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të gjithë shqiptarëve, jo vetëm të atyre që ai u shpëtoi jetën. Sot ne nderojmë dhe kujtojmë Arjanin, si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, si shembull i mirësisë dhe vlerave më të larta humane dhe njerëzore. Mbi vetëflijimin e tij, duhet të punojmë që të ndërtojmë, një shtet më të fortë, një shtet më njerëzor, një shtet më të dhimbsur, një shtet më social dhe një shtet më reagues, sidomos në momentet e fatkeqësive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat