Meta i përgjigjet Ramës: Pas 25 prillit unë shkoj në shtëpi, ti në psikiatri

Shqipëria

Meta i përgjigjet Ramës: Pas 25 prillit unë shkoj në shtëpi, ti në psikiatri

Më: 20 prill 2021 Në ora: 13:37
Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta me anë të një postimi në rrjetin social Facebook i është kundërpërgjigjur Kryeministrit Edi Rama lidhur me ngjarjen e Kavajës.

Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste e akuzoi Metën pak më herët për tensionim dhe destabilizim të fushatës elektorale.

Në postimin e tij, Presidenti Meta fajëson Kryeministrin për plagosjen e Sekretarit të PD në Kavajë.

Ndër të tjera, kreu i shtetit e akuzon Ramën edhe për patronazhistët dhe nxjerrjen e të dhënave personale të qytetarëve.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, Presidenti thotë se pas 25 Prillit ai do të shkojë në shtëpi, ndërsa për Kryeministrin shprehet se do t’i drejtohet psikiatrisë.

“Lidheni të marrin shokë socialistë përpara se të ketë fatin e furgonit në Berat. Pse Meta u tha tre banditëve të “Rilindjes” të hynin në zyrën elektorale të PD dhe të qëllonin me armë Sekretarin demokrat? Me kë janë në këtë foto këta të katërt?

Me Metën apo me Kryebashkiakun e emëruar rilindas të Kavajës dhe shtabin e tij elektoral? Pse Meta e porositi Damjanin publikisht të përsërisë “tërmetin” e Dibrës në Vlorë? Pse Meta emëroi një ushtri patronazhistësh për të survejuar e shantazhuar 900 mijë qytetarë të Qarkut Tiranë? Kush e prishi Marrëveshjen e 5 Qershorit nga tmerri i zgjedhjeve të lira?

Bablok, shqiptarët e dinë shumë mirë se ku kurdisesh ti për t’i përçarë shqiptarët në Shqipëri dhe rajon. Me qetësi dhe vendosmëri do e marrësh përgjigjen më 25 Prill nga të gjithë shqiptarët patriotë dhe europianë. Dhe në radhë të parë nga socialistët, që u shkatërrove çdo vlerë pozitive dhe njerëzore.

Unë do shkoj në shtëpi kur ti të shkosh në psikiatri! Shqipëria e shqiptarëve! Shqipëria në Bashkimin Europian! Pas 25 Prillit kjo rrugë nuk ndalet më asnjë sekondë”, shkruan në Facebook Presidenti Ilir Meta. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat