​Raporti paraprak i misionit OSBE/ODIHR, Celibashi: Të gjitha vlerësimet, realiste

Shqipëria

​Raporti paraprak i misionit OSBE/ODIHR, Celibashi: Të gjitha vlerësimet, realiste

Më: 26 prill 2021 Në ora: 20:04
Ilirjan Celibashi

Komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cilësoi sot realiste të gjitha gjetjet e misionit ndërkombëtar të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri i cili doli me raportin e tij paraprak, kryesisht mbi ato që kanë vërejtur në ditën e votimit.

“Ne i gjejmë të gjitha vlerësimet e misionit realiste dhe shumë prej atyre, qoftë ata pozitive dhe negative, janë të të njëjtit opinion si dhe KQZ”, tha Celibashi në një konferencë për mediat.

Celibashi tha se vonesat në numërimin e votave që do të përfundonte edhe procesin zgjedhor vijnë si rrjedhojë e qëndrimeve subjektive apo edhe i ndërhyrjeve politike të kandidatëve apo përfaqësuesve politikë.

“Por vlen të thuhet se KQZ ka reaguar, dhe ajo çfarë vlen më shumë të theksohet se pas ndërhyrjes së KQZ-së situata ka ndryshuar. Në momentin që ne flasim nuk kemi informacion që ndonjë KZAZ të ketë ndërprerë procesin e numërimit”, tha ai.

Celibashi shtoi se në faqen e internetit të KQZ-së gjenden të gjitha informacionet edhe në lidhje me qendrat e votimit, të cilat janë përfshirë në rezultat.

“E di që ka pasur probleme gjatë ditës së sotme të qasjes në faqen e internetit të KQZ-së, por në fakt numri i kërkesave është shumë i madh për të aksesuar këtë faqe, është një numër përdoruesish i tillë që krijon vonesa në ngarkimin e informacionit”, tha Celibashi.

Celibashi shtoi se “ka pasur disa raportime nga disa kandidatë për deputetë, së fundmi dhe nga kandidati i pavarur për qarkun e Tiranës, Bojken Abazi në lidhje me disa parregullsi, të paktën sipas tyre, të vërejtura në disa KZAZ të Tiranës në lidhje me mënyrën se si është bërë vlerësimi i fletëve të votimit të këtij kandidati”.

“Jemi duke e ndjekur këtë situatë dhe për sa do t’i takojë KQZ do të marrim vendime dhe do të mbajmë qëndrim”, u shpreh Celibashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat