Meta kërkon rinumërimin e votave të pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit

Shqipëria

Meta kërkon rinumërimin e votave të pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit

Më: 1 maj 2021 Në ora: 12:58
Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është duke e kërkuar rinumërimin e votave të pavlefshme në zgjedhjet e 25 prillit.

Meta me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se numërimi dhe rinumërimi i çdo vote të pavlefshme është vendimtar për të rritur besimin e qytetarëve, të cilët mbajtën radhë të gjata për të shprehur vullnetin e tyre më 25 prill.

“Në zgjedhjet e vitit 2013 vetëm 1.39 përqind e votave ishin të pavlefshme. Në vitin 2017 vetëm 1.98 përqind e votave u shpallën të pavlefshme. Aktualisht, sipas rezultateve paraprake të KQZ, kemi 5 përqind fletë votimi të pavlefshme. Ndaj numërimi dhe rinumërimi i çdo vote të pavlefshme është vendimtar për të rritur besimin e qytetarëve, të cilët mbajtën radhë të gjata për të shprehur vullnetin e tyre më 25 prill”.

“Me qetësi dhe transparencë është tepër e rëndësishme, që ky proces, të vazhdojë deri në fund. Krijimi i fokuseve të tjera, përtej kësaj çështjeje madhore për besimin te zgjedhjet dhe demokracia, është vetëm vijim i teatrit të radhës kundër sovranit dhe vullnetit të tij”.

“Deri tani janë rreth 50 mijë vota të pavlefshme më shumë se në vitin 2017 dhe rreth 60 mijë vota të pavlefshme më shumë se në vitin 2013, ndërkohë që 8 vite më parë votuan rreth 80 mijë qytetarë më shumë se sa në zgjedhjet e 25 prillit”, ka shkruar Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat