Lojë afatesh për Metën, Komisioni i Ligjeve: Presidenti të paraqitet në datën 6 maj

Shqipëria

Lojë afatesh për Metën, Komisioni i Ligjeve: Presidenti të paraqitet në datën 6 maj

Më: 5 maj 2021 Në ora: 13:44
Ilir Meta

Presidenti dhe Partia Socialiste janë futur në një lojë afatesh kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor. Kreu i Shtetit ka kërkuar të japë qëndrimet e tij ndaj mazhorancës socialiste në datën 10 maj, duke krijuar pamundësi për të vijuar me procedurat. Por me shumicë votash, Komisioni i Ligjeve i ka kërkuar Kreut të Shtetit që të jetë i pranishëm brenda ditës së nesërme.

Loja e afateve për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ka përfshirë dhe Komisionin e Ligjeve.

Madje përfaqësues i opozitës në Kuvend, Adriatik Alimadhi, ka kërkuar sqarim për procedurat, pasi sipas tij në afatet aktuale nisma është në shkelje të Kushtetutës.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka saktësuar se Kreu i Shtetit ka kërkuar të jetë prezent për të dhënë sqarime, teksa shton se kanë dhe 4 ditë afat për nisjen e hetimeve.

Për deklaratat se Presidenti nuk ka bërë shkelje që kanë sjellë pasoja të rënda, socialistët u rikthehen argumenteve të paraqitura në kërkesën për shkarkim.

Deputetëve dyshues mbi nismën, Ulsi Manja, iu përgjigj me argumentin se nisma është politike, por se është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë në përfundim.

Komisioni i Ligjeve sipas tij shqyrton procedurat e ndjekura nga propozuesit.

Paqartësive për emrat e firmëtarëve, Manja i është përgjigjur duke i lexuar një e nga një, teksa për të garantuar se komisioni miratohet brenda afateve Manja dha afat të ndryshëm nga data 10 maj e kërkuar prej Metës, duke krijuar dhe përplasje me Alimadhin.

Pavarësisht kësaj, me 13 vota pro dhe 1 kundër, Presidentit iu la afat të përgjigjet të enjten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat