Ulsi Manja: Ky Parlamenti është funksional deri më 9 shtator

Shqipëria

Ulsi Manja: Ky Parlamenti është funksional deri më 9 shtator

Më: 5 maj 2021 Në ora: 20:06
Ulsi Manja

Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve tha për Euronews Albania se ngritja e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit si kërkesë e 49 deputetëve do t’i kalojë kuvendit më datë 7 maj, datë që siç tha nëse merr miratim, është brenda afatit kushtetues për ngritjen e një komisioni hetimor, 4 muaj para përfundimit të legjislaturës.

Sipas tij, përkundër deklaratave mediatike ky kuvend është funksional deri më 9 shtator, ditë kur u mbajt edhe seanca e parë e legjislaturës aktuale, ndaj e ka fuqinë për të vendosur lidhur me shkarkimin e kreut të shtetit.

“Në fakt ky parlament, i kësaj legjislature është në detyrë deri në 9 shtator, sepse sipas Kushtetutës i mbaron mandati në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë kur është mbledhur parlamenti i para 4 viteve, pra është në detyrë.

Pretendime lidhur me këtë komision, se nuk mund të ngrohen komisione hetimore 4 muaj para legjislaturës nuk qëndron pasi deri të premten më 7 maj është brenda afatit. Nëse parlamenti nuk shprehet deri të premten, del jashtë afatit”, shpjegoi Manja.

Ai tregoi hapat që duhet të ndiqen për të shkuar deri të shkarkimi i presidentit teksa u shpreh se në bazë të kushtetues shkarkimi kreut të shtetit është e ndërvarur mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese po është kjo e fundit që e thotë fjalën e fundit.

Sipas z. Manja presidenti me qëndrimin politik që mbajti gjatë fushatës dhe konflikti që hapi me partnerët strategjikë ka cenuar imazhin e Shqipërisë në marrëdhëniet e jashtme.

Për kreun e Komisionit të Ligjeve, fakti që vetë kreu i shtetit gjatë fushatës u shpreh se nëse mazhoranca merr 71 mandatë ai jep dorëheqjen dhe kalon në opozitë, tregon se ai u pozicionua politikisht duke zgjedhur të jetë përfaqësues i opozitës, përkundër misionit që i jep Kushtetuta për të qenë mbi palët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat