Vrasja në Tiranë/ Miqtë u vonuan duke pastruar skenën e krimit

Shqipëria

Vrasja në Tiranë/ Miqtë u vonuan duke pastruar skenën e krimit

Më: 14 maj 2021 Në ora: 10:35
Pamje nga vendi i ngjarjes

Marius Dema, 28- vjeçari që dyshohet se qëlloi për vdekje shokun e tij Mehmet Qama, pritet të dalë sot para Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë, i akuzuar për “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Burime nga Prokuroria thanë se në kërkesën e dorëzuar në Gjykatë, është kërkuar që të caktohet masa e “arrestit me burg”.

Përveç autorit të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Mehmet Qema, në rrugën “5 Maji”, në Tiranë, i cili u vetëdorëzua i pari në Polici, deri në mbrëmje, të martën, u dorëzuan edhe të gjithë miqtë e tjerë të viktimës e autorit, që kishin qenë të pranishëm në ngjarje. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan 5 persona, një u procedua në gjendje të lirë, ndërsa dy të tjerë u lanë të lirë pasi nuk rezultuan të përfshirë në krim.

Tavolina ku ishte ulur Mehmet Qema, kishte pije energjike dhe tavlla duhani. Në çastet e fundit të jetës të të riut nga Kruma e Hasit, ai shfaqet duke bërë me shenja refuzuese nga shoku i tij, i cili qëndron në këmbë dhe në dorë mban një armë, që herë pas herë ia drejton viktimës. 

Dy prej miqve të viktimës, Frenkli Myftari dhe Xhuliano Koçi, fshinë gjurmë të krimit. 28- vjeçari Myftari shfaqet duke larguar nga skena e krimit një gëzhojë arme zjarri, ndërsa Koçi dyshohet se hoqi prej andej pistoletën, me të cilën u vra Mehmet Qema.

Së bashku me ta, edhe një i tretë, i quajtur Marius Halili, i cili është proceduar në gjendje të lirë, pastroi lokalin duke hedhur mbeturinat në kosh. “Këtë gjë ma kërkoi pronari”, u justifikua në Polici i riu, i cili nuk dha asnjë detaj se çfarë gjeti mbi tavolinë.

Mehmet Qema, 27-vjeçari i sapokthyer nga Britania e Madhe mbeti i vrarë mbrëmjen e së hënës, pak para mesnate në Tiranë, nga një plumb në gjoks. Ai ishte vetë i gjashti në një tavolinë me shokët e tij, në një lokal në rrugën “5 Maji”, kur njëri prej tyre i drejtoi armën dhe e shkrepi. Nga pamjet e kamerës së sigurisë, duket momenti kur Mehmet Qema, i bën me shenjë shokut të tij që ishte në këmbë, që të largonte pistoletën që i kishte drejtuar. E megjithatë, Marius Dema, 28 vjeç, vazhdon me lojën, derisa arma shkrepet dhe e vret shokun e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat