Misteri/ Gjyqtarja e ‘Tik-Tok-ut’ Enkeleda Kapedani 6 muaj në Skoci, jep edhe mësim në Universitetin e Elbasanit!

Shqipëria

Misteri/ Gjyqtarja e ‘Tik-Tok-ut’ Enkeleda Kapedani 6 muaj në Skoci, jep edhe mësim në Universitetin e Elbasanit!

Më: 5 qershor 2021 Në ora: 09:02
Enkeleda Kapedani

Zbulohen detaje të tjera rreth të shkuarës së zëvendëskryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, e cila për disa ditë me radhë ‘pushtoi’ mediat, rrjetet sociale dhe vuri në lëvizje institucionet e drejtësisë për shkak të publikimit të disa videove, ku shfaqej duke bërë sfilatë dhe modelig në shkelje të kodit të etikës nga zyra e gjykatës. Në vitin 2002, një viti para se të konkurronte për mis Shqipëria, ka jetuar për gjashtë muaj në Skoci. Në formularin e dekriminalizimit të siguruar, gjyqtarja thotë se gjatë periudhës korrik-dhjetor ka jetuar në Skoci, sipas saj, fillimisht për si vizitore dhe më pas për studime.

Gjatë kësaj periudhe 6-mujore, mbetet mister se sa muaj Kapedani ka qëndruar si vizitore dhe sa kohë për studime. Gjithashtu, nuk dihet se për çfarë paska studiuar gjyqtarja dhe çfarë studimesh paskërka bërë në më pak se gjashtë muaj! Gjatë diskutimeve në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë për emërimin e saj gjyqtare në shtator të 2015 dhe më pas gjatë rritjes së saj në detyrë, nuk rezulton asnjë e dhënë për studimet e saj në Skoci. Gjithashtu, në faqen zyrtare të Gjykatës së Elbasanit nuk ka një CV për zëvendëskryetaren.  

Ndërkaq, përveçse jep drejtësi, gjyqtarja e ‘Tik-Tok-ut’, jep edhe mësim me kohë të pjesshme në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Elbasanit, konkretisht Të Drejtën Private dhe Të Drejtën Penale të Posaçme. Nuk dihet nëse ka bërë sfilatë dhe ka ekspozuar luksin edhe në këtë universitet si në ambientet e gjykatës. Burimi i sjelljeve të Enkeleda Kapedanit, që diskreditojnë dhe komprometojnë rëndë figurën e gjyqtarit, ndoshta duhet gjetur në ish Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili emëroi Kapedanin gjyqtare në shator të 2015, me shpejtësi dhe në mungesë transparente, madje më herët, që tek pranimi në Shkollën e Magjistraturës.

Në vitin 2014, Enkeleda Kapedani ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, ndërsa në vitin 2015 propozohet për t’u emëruar gjyqtare po nga Shkolla e Magjistraturës. KLD shpall disa vende vakante në korrik të vitit 2015 dhe dy muaj më pas, në shtator, emëron me shpejtësi Kapedanin në Gjykatën e Elbasanit. Pesë vite më pas, Kapedani zgjidhet zëvendëskryetare e Gjykatës së Elbasanit. I gjithë ky rrugëtim i shpejtë karakterizohet nga mungesa e transparencës, duke krijuar dyshime të forta për një dorë lobuese në prapaskenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat