Gjana paralajmëron kandidatët e PD-së

Shqipëria

Gjana paralajmëron kandidatët e PD-së

Më: 12 qershor 2021 Në ora: 14:04
Jemin Gjana

Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike Jemin Gjana u bëri thirrje rivalëve të kryedemokratit Lulzim Basha që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në 76 komisionet vendore për procesin zgjedhor për kreun e PD që do të mbahet nesër. Gjana deklaroi se nëse këto emra nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe nuk janë anëtarë të degës ku janë dërguar nuk do lejohen në komisione. Kjo theksoi ai nuk do bëhet pengesë për nisjen e procesit zgjedhor.

“Sapo përfunduam një nga mbledhjet e Komisionit të sotëm. Miratuam listën jo përfundimtare sepse nuk janë përfaqësues për të gjitha komisionet. Kadilli ka sjellë përfaqësues në 54 komisione nga 76. E miratuam listën pasi bëmë verifikimin e të qenit anëtar të PD. Kam bërë një njoftim në mëngjes për tre kandidatët dhe përfaqësuesit e tyre.

I vetmi që ka reaguar deri tani është Kadilli. Kam një telefonatë të zotit Kapri që është duke e përgatitur listën dhe mund ta dorëzojë deri në orët e pasdites. Nuk kam ende një njoftim nga zonja Harxhi. Asnjë emër nuk bëhet pjesë e komisioneve të votimit dhe numërimit që nuk është anëtar partie dhe nuk i takon degës ku ngarkohet. I ftoj edhe njëherë që në kohën më të shpejtë të mundshme që komisionet të komunikojnë me njëri tjetrin që nesër në mëngjes të jenë të hapura qendrat e votimit.

Nëse nuk dërgohen anëtarë të PD ata nuk bëhen pjesë e Komisionit por kjo nuk do të thotë se procesi zgjedhor nuk do fillojë. Janë nisur në të gjitha qarqet i gjithë materiali zgjedhor. Listat janë mbyllur dje. Fletët e votimit, dhomat e fshehta dhe çdo gjë tjetër po shpërndahet përfundimisht dhe deri nga dreka përfundon në të gjitha qarqet. Kandidatët që nuk sjellin emra janë në të drejtën e tyre. Komisioni nuk cakton përfaqësues të kandidatëve”, deklaroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat