Shkarkohet gjyqtari i Beratit, KPK konstatoi mungesë të ardhurash për blerjen e apartamenteve

Shqipëria

Shkarkohet gjyqtari i Beratit, KPK konstatoi mungesë të ardhurash për blerjen e apartamenteve

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 15:41
Foto

KPK ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Beratit, Durim Hasa. Shkak janë bërë pikëpyetjet e ngritura mbi të ardhurat me të cilat ka blerë dy apartamente si dhe vendimet që ai ka marrë në dy çështje gjyqësore. Përballë trupës doli dhe prokurorja Alketa Ziflia për të cilën u vu në diskutim kredia që ka marrë përmes Bashkisë.

4 apartamente të blera dhe të shitura ndër vite, një automjet dhe një garazh janë pasuritë e gjyqtarit të Beratit, Durim Hasa, për të cilat sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ai nuk ka mundur të justifikojë burimin.

Për një apartament në Tiranë me sipërfaqe 96.6 mkatror me vlerë 19 mijë euro, ai deklaroi hua nga vëllai dhe babai në shumë 1.4 mln lekëve, ku sipas komisionit, Hasa nuk ka arritur t’i justifikojë me dokumente.

Veç këtij apartamenti, ai nuk justifikon as blerjen e një shtëpie në Berat me vlerë 2.4 mln lekë. Komisioni tha se nga analiza financiare, ai nuk mund të shpjegonte burimin e 1.1 mln lekëve.

Në KPK u diskutuan dhe dy çështje gjyqësore për të cilat Komisioni konstatoi problematika. Së pari për lehtësimin e masës së sigurisë së një të pandehuri nga arrest me burg në detyrim paraqitje kur relatori deklaroi se nuk ishin plotësuar kushtet.

Vendimarrja e dytë ka të bëjë me një çështje me të pandehurin me iniciale A.M. i dënuar më parë për vjedhje me dhunë dhe vjedhje me pasojë vdekje.

Kjo çështje është shqyrtuar nga një trupë me tre gjyqtarë ku Hasa ka dalë në pakicë duke pranuar kërkesën për gjykimin e shkurtuar.

Në seancë dëgjimore këtë të hënë doli dhe prokurorja e Tiranës, Alketa Zifla, për të cilën komisioni evidentoi parregullsi në deklarimin e pasurive.

Në vitin 2012, ajo bleu një apartament me sipërfaqe 59m2 në Tiranë me vlerë  11.4 mln lekë nga prindërit, me burim një kredi me kushte lehtësuese dhënë nga bashkia e Fierit.

Problemi konstatuar është se ajo ka lidhur kontratë me prindërit për pagesën 3.4 mln lekë si dhe ka bërë disa veprime ligjore të konsideruara fiktive në mënyrë që të përfitojë kredinë në kushte lehtësuese.

Ajo u shpreh se këto veprime nuk kanë pasur qëllim shkaktimin e dëmeve tek institucionet por vetëm përfitimin e kredisë për të paguar shtëpinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat