Kuvendi kalon ligjin për OJF-të, shoqëria civile: Antikushtetues!

Shqipëria

Kuvendi kalon ligjin për OJF-të, shoqëria civile: Antikushtetues!

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 20:28
Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi miratoi ligjin e ri për regjistrimin dhe veprimin e organizatave jofitimprurëse. Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e mazhorancës thanë se ligji kishte mbërritur në Kuvend pas një periudhe të gjatë konsultimi me shoqërinë civile dhe mbështetej nga Bashkimi Europian.

Ligji i ri detyron OJF-të që të deklarojnë burimet e financimit, edhe si një kërkesë e MoneyVal në përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave dhe terrorizmin.

Ligji parashikon ngritjen e një regjistri elektronik të OJF-ve me të dhëna të detajuara të tyre. Regjistri menaxhohet nga Gjykata e Tiranës. OJF-të dhe fondacionet që refuzojnë regjistrimin në këtë regjistër elektronik humbasin statusin e tyre brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit.

Kur regjistrohet për herë të parë, një OJF apo fondacion, duhet të japë këto të dhëna si: Emrin, formën e organizimit, datën e themelimit, të dhënat e identifikimit të themeluesve duke dhënë në çdo rast emrin, mbiemrin, vendlindjen, datëlindjen, adresën e vendbanimit, numrin e identitetit, si dhe të dhënat elektronike të kontaktit të tyre, të dhënat e anëtarëve të organeve drejtuese si dhe të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e organizatës.

Me detyrim në regjistrimin fillestar është edhe deklarimi i përbërjes dhe pasurisë së fondit themelues, selinë, veprimtarinë që ushtron dhe të tjera informacione që vlerësohen me rëndësi për të provuar se paratë që financojnë një OJF, a fondacion nuk janë produkt i aktiviteteve të paligjshme.

Por, ligji kundërshtohet nga më shumë se 100 organizata dhe fondacione, që e cilësojnë atë gjysmak. Sipas OJF-ve, argumentat që u dhanë në foltoren e Kuvendit për përfshirjen e shoqërisë civile në konsultim dhe marrjen parasysh të rekomandimeve ishin gjysmë të vërteta dhe mes të tjerash u përdor Bashkimi Europian si një arsye për të kaluar këtë projektligj.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se ligji cenon rëndë të drejtën e organizimit vullnetar, parimin e proporcionalitetit në vendosjen e masave shtrënguese si dhe mbivendosjen e tyre, raportimin e dyfishtë dhe parimin e qartësisë ligjore.

Për këto arsye, ato i kërkojnë Presidentit që ta kthejë për rishqyrtim në Kuvend dhe paralajmërojnë se edhe nëse kjo nuk ndodh, apo Kuvendi nuk reflekton vërejtjet e tyre do ta çojnë atë në Gjykatën Kushtetuese.

“Ne i kërkojmë Presidentit të kthejë ligjin për rishqyrtim në parlament. Nëse Presidenti do të dekretojë projektligjin, organizatat e shoqërisë civile, sikurse janë shprehur edhe në thirrjen e fundit më 23 qershor 2021, do ta kundërshtojnë ligjin për anti-kushtetutshmeri në Gjykatën Kushtetuese. Ky ligj përbën një hap pas në rrugën drejt demokratizimit të Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat