Vendimi i Kushtetueses për Teatrin, Budina: I thamë Ramës dhe Veliaj se ky do të jetë varri juaj politik

Shqipëria

Vendimi i Kushtetueses për Teatrin, Budina: I thamë Ramës dhe Veliaj se ky do të jetë varri juaj politik

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 20:09
Robert Budina

Regjisori Robert Budina i ftuar në studion e Ora News diskutoi me gazetaren Matilda Mcini vendimin e djeshëm të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi të pezullojë punimet për ndërtimin e godinës së Teatrit të Ri.

Regjisori Budina u shpreh se ky vendim i GJK ktheu besimin në vend. Sipas regjisorit, Gjykata mori një vendim të drejtë.

Budina: "Pritshmëria ime ishte që do bëhej vetëm gjysma e kësaj që është bërë. Do refuzohej ligji special dhe mbase nuk do refuzohej VKM-ja. Për kaq sa ka bërë GJK patjetër ka kthyer besimin në vend. Ky është një hap i madh përpara, por nuk është një fitore e pastër. GJK bëri punën e saj, bëri punën e drejtë. Tani i takon organeve të tjera të drejtësisë të bëjnë të njëjtën gjë që bëri GJK.

Shembja e Teatrit kombëtar ishte një akt makabër. Kryeministri nuk ndali dhe vazhdoi përpara dhe kjo na bindi ne, Shoqërinë Civile ta çonim deri në fund këtë çështje. Deri në atë ditë ne nuk kishim çuar asnjë çështje deri në fund."

Përsa i përket vendimit të KKT për miratimin e fondit shtesë shprehet se tani është detyrë e SPAK-ut të hetojë se si u kryen këto procedura. Personat të cilët e kryen këtë punë duhet të përgjigjen, sipas Budinës.

Budina: "Para se at shembin Teatrin ne i thamë prisni se ka një vendim që duhet të merret në Kushtetuese. Ata nuk pritën dhe e shembën. GJK po i thotë ju duhet t'ia ktheni ministrisë së Kulturës. SPAK-ut i lind e drejta si u bënë këto procedura, se vendimi i Këshillit bashkiak është marrë një ditë përpara. Nëse SPAK nuk i dënon do të thotë që po shkel detyrën. Këta njerëz duhet të përgjigjen për mënyrën si e kryen këtë punë. Kryetari  i bashkisë duhet të përgjigjet për këtë punë. Vlera e TK për ditën që u shemb mund të llogaritet 10 milion euro. Këta njerëz duhet të përgjigjen me para, me burg dhe t'i kthejnë qytetarëve atë që i morën."

Zoti Budina u shpreh se Aleanca për mbrojtjen e Teatrit do t'i drejtohet SPAK-ut sërish ditën e hënë për të vazhduar hetiemt. Zoti Budina kërkoi nga bashkia që të hiqet muri rrethues  te Teatri.

Budina: "SPAK-u duhet të fillojë të hetojë dhe i ka ngelur topi në derë. Ne do t'i drejtohemi sërish SPAK-ut ditën e hënë. Ne do t'i kërkojmë se ku janë hetimet dhe çfarë do bëhet me këto që tani e tutje. Urgjent duhet të hiqet nga bashkia muri rrethues që është vënë aty që të dalë në pah barbaria. Ne i thamë që ky do jetë varri juaj politik edhe kryebashkiakut edhe kryeministrit. Kemi arritur me shumë mundim në këtë ditë."

I pyetur nëse do t'i shtrihej një dorë bashkëpunimi nga qeveria, zoti Budina tha se nuk merr pjesë në tryeza të organizuara nga pushteti që veproi në mënyrë kriminale. Fillimisht kryeministri dhe kryebashkiaku duhet të japin llogari përpara organeve të drejtësisë, tha ai.

Budina: "Personalisht nuk marr pjesë në tryeza të organizuara nga ky pushtet që ka vepruar në mënyrë kriminale me trashëgiminë, marr pjesë vetëm në tryezat ku ata duhet të japin llogari. Marr pjesë vetëm  nëse pranojnë që Teatrit të kthehet aty ku ishte dhe siç ishte dhe pasi të kenë dhënë llogari para drejtësisë. Nëse çlirohen nga akuzat, janë të mirëpritur. Këta njerëz kanë shkelur Kushtetutën dhe kanë bërë çmos që ta minojnë drejtësinë. Të njëjtën gjë që bëri GJK shpresojmë që të ketë prokurorë në SPAK që do kenë guxim të thërresin të dëshmojnë kryeministri dhe kryetari i bashkisë për të gjitha dëmet që kanë bërë. Provat tona janë të pafundme që kemi çuar në SPAK."

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat