Ruajtja dhe promovimi i vlerave të basenit ujor të Drinit

Shqipëria

Ruajtja dhe promovimi i vlerave të basenit ujor të Drinit

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 06:42
Drini

Nevoja gjithnjë e më e madhe për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të ekosistemit të basenit të Drinit, ku përfshihen lumejtë Drin e Buna dhe tre liqenit; ai i Shkodrës, Prespës dhe Ohrit, bashkoi sot në pikën turistike të Shirokës, në bregun e liqenit, përfaqësues të organizatave mjedisore dhe studiues, si pjesë e projektit “Ora blu e Drinit”. Drejtuesja ekzekutive e organizatës “Well Point”, Aurora Zylaj, i tha Zërit të Amerikës se në këtë veprimtari ekspozohen rreth 30 foto të realizuara nga fotografët e jetës së egër si dhe promovohet libri “Tradita e lundrim-peshkimit në ujrat e Shkodrës”, një studim ky i studiuesit shkodran Zamir Tafilica.

“Këto foto janë të realizuara nga fotografët e jetës së egër, që janë kryesisht nga Shkodra. Ne këtu promovojmë jo vetëm fotografi, por, meqenëse nesër është dita e turizmit, ne promovojmë edhe destinacionet turistike në basenin e Drinit, i cili është baseni më i madh ujor në Shqipëri dhe përfshinë Shqipërinë edhe Kosovën. Ne këtu promovojmë jo vetëm biodiversitetin e vlerat natyrore, por edhe aktivitetet në fushën e ekoturizmit”.

Zonja Zylaj tha se është e nevojshme që t’i kushtohet më shumë kujdes ruatjes së vlerave të biodiversitetit në basenin e Drinit ku, sipas saj, vazhdojnë dëmtimet nga veprimtaritë e paligjëshme:

“Ka lloje të rrezikuara sikurse është pelikani kaçurel në Liqenin e Shkodrës, jo vetëm, por edhe disa lloje peshqish në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, por edhe pjesë të tjera të basenit të Drinit. Kjo për shkak të disa aktiviteteve të paligjëshme që zhvillojnë njerëzit”.

Studiuesi Zamit Tafilica, autori i librit të sapobotuar “Tradita e lundrim-peshkimit në ujërat e Shkodrës” thotë se përmes tij ka dashut të përcjellë traditat e pasura në fushën e peshkimit dhe lundrimit të banorëve të bregut të Liqenit të Shkodrës.

Këto tradita të pasura të banorëve që jetojnë në brigjet e Liqenit të Shkodrës, thotë studiuesi Tafilica, janë dëmtuar gjatë viteve të fundit për shkak të braktisjes së interesave për liqenin dhe, në përgjithësi, për ujërat dhe lundrimin si dhe nga ndotjet dhe veprimtaritë e jashtëligjëshme.

“Unë e shikoj në një gjendje krize në këtë aspekt, e cila vazhdon prej 30 vitesh. Po e lëmë periudhën e diktaturës, por po flasim për sistemin e ekonomisë së tregut, të demokracisë. Shof që ka një neglizhencë totale, një abuzim, korrupsion. Këtu mund të ketë 30 vjet që bëhen projekte, por, po të shikosh rezultatet dhe të bësh bilancin pas 30 vjetësh, do të shikosh që shumë pak gjëra kanë ndryshuar”.

Studiuesi Tafilica thotë se ndryshe nga ana malazeze e liqenit, në pjesën shqiptare nuk po shfrytësohen mundesite që ofron liqeni i përbashkët i Shkodrës në drejtim të lundrimit për qëllime turistike. Qeveritë e të dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Malit të Zi, prej të paktën 20 vetesh, kanë premtuar hapjen e pikëkalimeve kufitare ujore për të mundësuar lundrimin në linjën ujore Shkodër-Virpazar, por deri tani kjo nuk është realizuar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat