“Mos kërkoni rrugë të shkurtra që…”/ Mesazhi i kryeministrit Rama për familjet shqiptare

Shqipëria

“Mos kërkoni rrugë të shkurtra që…”/ Mesazhi i kryeministrit Rama për familjet shqiptare

Më: 9 tetor 2021 Në ora: 17:29
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi planin qeverisës për mbrojtjen nga kriza energjitike, i ka adresuar edhe një mesazh familjeve shqiptare.

Ai u kërkoi që të kenë besim se do ja dalim nga kjo situatë, por asesi nuk duhet që të kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë.

Edi Rama: Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kur e pyetën dikur një kryeministër britanik se nga çfarë trembej, ai u përgjigj, trembem vetëm nga ngjarjet, duke pasur parasysh pikërisht faktin, se jeta është ajo që ndodh ndërkohë që mund të jesh duke bërë plane të tjera.

Këto vitet e fundit jeta për ne të gjithë, për pasojë edhe për qeverinë e për mua, ka qenë e përcaktuar shumë më tepër nga ngjarjet se sa nga planet tona; tërmeti, pandemia, e tani edhe kjo furtunë e rritjes së çmimit më delikat të jetesës së përditshme. E di mirë që të tëra këto lënë gjurmë në mendje e në shpirt, por dy gjëra dua t’ju them në fund:

E para, ndjehuni mirë që ia kemi dalë dhe kini besim që do t’ia dalim gjithnjë e më mirë. Dhe e dyta, mundohuni të mos e harroni se çfarë mbjellim ne sot, me qëndrimet e me vendimet tona, do të korrin fëmijët tanë nesër. E që nesër fëmijët e sotëm, të mos kenë aq pak fat sa ç’patën fëmijët e viteve 90, që kur u rritën korrën atë që u mboll mbrapsht në ato vite, duhet që ne të mos kërkojmë asnjëherë rrugë të shkurtra që nxjerrin gjithmonë gjatë.

Kujtojmë se Rama tha se tre pikat e planit të kundërveprimit të qeverisë ndaj krizës energjitike janë: Garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara, mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara, garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumenteve të garancisë sovrane shtetërore, i cili do të jetë i ripërtërishëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe dy.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat