U arrestua në Gjermani për trafik droge/ SPAK kërkoi 12 vite burg për ish-truprojën e Saimir Tahirit, si u zbulua emri i tij

Shqipëria

U arrestua në Gjermani për trafik droge/ SPAK kërkoi 12 vite burg për ish-truprojën e Saimir Tahirit, si u zbulua emri i tij

Më: 8 tetor 2022 Në ora: 11:06
Saimir Tahiri dhe Hekuran Markun

SPAK ka kërkuar 12 vite burg për ish-truprojën e Saimir Tahirit, Hekuran Markun, i cili u arrestua pas dëshmisë së disa personave që u arrestuan në një operacion të madh ndërkombëtar antidroge.

Ndonëse shoqëruesi i ishministrit të prangosur dhe të shumëpërfolur si favorizues i trafikut të drogës, ka mohuar akuzat për të cilat u arrestua, Prokuroria e Posaçme nuk e ka përjashtuar nga grupi prej 31 personash, për arrestimin e të cilëve u tha se morën pjesë edhe skuadrat më të mira të hetimit ndërkombëtar.

Prokuroria e Posaçme që kërkon dënimin e Markut me 12 vjet burg, mundi të përfitonte nga bashkëpunimi i katër të arrestuarve të cilët nxorën jo vetëm emrat e personave të tjerë, por edhe treguan skemën me të cilën funksiononin për trafikun e drogës drejt Italisë dhe Spanjës.

Bashkë me Markun, në të njëjtën dosje gjendet edhe emri i kolegut të tij, ish-shoqëruesit tjetër të Tahirit, Agustin Dedës, i cili i prangos në Francë, por kërkoi azil për shkak se ai dyshonte në një proces të manipuluar për shkak të detyrës që kishte kryer në krah të ish-ministrit të dënuar tashmë.

KËRKESA PËR DËNIMIN E MARKUT 

Hekuran Marku i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Marku u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Emri i tij doli në operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti”. Si pasojë e këtij operacioni janë vendosur në pranga biznesmenë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të akuzuar si pjesëmarrës në veprimtaritë kriminale të drogës.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e operacionit “Shpirti”, me 31 të pandehur që akuzohen për trafikim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal.

Mes tyre janë edhe pesë funksion arë publik, duke filluar nga prokurori i Vlorës, Maksim Sota dhe Ilirjan Balla, ishshef i Trafiqeve në Policinë e Shtetit, Artur Krasniqi, Festim Lelaj funksionarë shtetërorë, të gjithë të akuzuar për shpërdorim detyre.

Mes të dërguarve për gjykim janë edhe dy truprojat e ish-ministrit Saimir Tahiri, Paul (Agustin) Deda dhe Hekuran Marku, njëri i arrestuar në Francë dhe tjetri në Gjermani. Të dy janë të dyshuar si të përfshirë në “skemën” e trafikut ndërkombëtar të kanabisit nga grupi kriminal që drejtohej nga Ilirjan Duçellari.

EKSTRADIMI 

Hekuran Marku, ish-truproja i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë shtatë muaj pas arrestimit të tij. Marku u vu në pranga në gusht të vitit 2021. Marku ka qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016.

Përgjatë kësaj periudhe, sipas dosjes së SPAK, Marku akuzohet se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar, ky i fundit i njohur si Eltjon Bregu, ka trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë bashkë me kolegun e tij Agustin Deda.

Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për tua dorëzuar katër italianëve. Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Ata kanë dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, kanë arritur të dokumentojnë aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës përmes operacionit “Shpirti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat