​Censura ra më 5 janar 1991, pas dekadash shtypjeje në Shqipëri

Shqipëria

​Censura ra më 5 janar 1991, pas dekadash shtypjeje në Shqipëri

Më: 5 janar 2023 Në ora: 19:09
Foto ilustrim

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit risolli sot në kujtesë 5 janarin 1991, ditën e botimit të gazetës “Rilindja Demokratike”.

Më 5 janar 1991, pas rreth pesë dekadash shtypjeje dhe censure të ashpër komuniste, mungesës së të drejtës për të folur, shkruar, ndarë idetë dhe opinionet pa u përballur me ndëshkimin, u botua numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, e cila u kthye në një tribunë refleksionesh mbi regjimin komunist e të shkuarës dhe mbi demokracinë e shumëpritur të së ardhmes.

Që në fillimet e instalimit të diktaturës, qeveria e re, u kujdes që të shtrinte kontrollin e saj mbi të gjithë institucionet e kulturës, gazetat dhe transmetimet në radio. Mediet ishin të kontrolluara nga pushteti i kohës. Për përmbajtjen ideologjike të tyre kujdesej Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, sekretari i Komitetit Qendror të Partisë për propagandën, shefi i sektorit të shtypit apo Drejtoria e agjitacion-propagandës.

Shtypi i shkruar dhe mediat, Televizioni dhe Radio ishin në shërbim të propagandës së shtetit.

Shtëpitë botuese, gazetat dhe revistat që botoheshin para ardhjes së komunistëve në pushtet u mbyllën. Revistat me emër si “Hylli i Dritës”, “Përndjekja Shqiptare”, jo vetëm u ndaluan, por u hoqën nga qarkullimi të gjitha kopjet ekzistuese.

Një komision letrar në Lidhjen e Shkrimtarëve, hartoi listën e veprave të ndaluara prej autorëve shqiptarë të paraluftës. Në listën e të librave që u hoqën nga qarkullimi dhe autorët e ndaluan, u përfshinë dhe emrat më të njohur të kulturës shqiptare, si Ndoc Nikaj, At Gjergj Fishta, Faik Konica, Ernest Koliqi, At Anton Harapi, Musine Kokalari, Ali Asllani etj.

Organet e shtypit u vunë në kontroll të Partisë Komuniste, më vonë Partia e Punës. Shtypi qendror përfshinte organin zyrtar të shtypit të Partisë, “Zëri i Popullit”, si dhe gazeta të tjera “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Mësuesi”, “Drita”, “Luftëtari” dhe “Sporti Popullor”. Shtypi lokal përfshinte 27 gazeta. “Zëri i Popullit”, si organ qendror, si dhe gazetat lokale në dispozicion të komiteteve të Partisë së rretheve, ishin një element i rëndësishëm në propagandën e regjimin totalitar shqiptar.

Censura u shtri në të gjithë fushat e artit dhe jetës publike, me kontroll të rreptë mbi median, artin, letërsinë, kulturën dhe muzikën. Artistët dhe gazetarët u bënë objekt i përndjekjes dhe persekutimeve, si në rastin e Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion, kur udhëheqja e kohës dënoi festivalin dhe trupën artistike si një festival që përhapte kulturë borgjeze, duke dënuar, burgosur dhe dërguar në internim, një pjesë të madhe të trupës artistike.

Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, gazetari Trifan Gjika, Havzi Nela poetë, janë disa nga emrat që spikatën në fushën mediatike. Po liria e shprehjes në media e poezi i çoi ata drejt persekutimit, burgimit dhe vdekjes. Shumë të tjerë, piktorë, skulptorë, dramaturgë, aktorë, këngëtarë e përkthyes u përndoqën dhe burgosën për lirinë e shprehjes së tyre.

AIDSSH publikoi dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit krijoi (ka shumë të tillë) gjatë survejimit të emisioneve të Radio-Televizionit Shqiptar, në të cilën zëvendësimi i një dokumentari për Brigadën e 22-të Sulmuese me një emision shkencor për fëmijët konsiderohet “një skandal i madh politik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat