“Çdo vonesë i shërben Ramës”, Ivi Kaso: Çështja ndaj Belerit duhet të pushohet, ‘agjenti provokator’

Shqipëria

“Çdo vonesë i shërben Ramës”, Ivi Kaso: Çështja ndaj Belerit duhet të pushohet, ‘agjenti provokator’

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 12:48
Ivi Kaso

Sekretari për çështjet ligjore të grupit të Berishës në një deklaratë për mediat foli për çështjen ‘Beleri’, ku tha se çdo vonesë i shërben kryeministrit Edi Rama.

Kaso kërkoi pushimin e çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur nga zgjedhjet lokale më 14 maj për Bashkinë Himarë, Fredi Beleri, ndërsa shtoi se ‘agjenti provokator’ është paguar nga Policia e Shtetit.

Deklarata e plotë:

Padia dhe procesi kundër Fredi Belerit, të cilën Partia Demokratike e ka konsideruar që në nisje si politik dhe të stisur, ra përfundimisht dje, në seancën e zhvilluar në SPAK.

Në këtë seancë u bënë disa pohime kyçe për çështjen, të cilat jo vetëm rrëzojnë akuzën, por edhe e vendosin Prokurorinë në pozitat e një aksesori të qeverisë dhe orekseve politike të saj.

Kështu, i etiketuari si bashkëpunëtor i drejtësisë, Arsen Ramaj, që ka shërbyer si ‘agjent provokator’ i kandidatit të opozitës për Himarën, e pranoi dje se është paguar nga policia e Shtetit për bashkëpunimin dhe kurthin e z. Beleri, që ka çuar në arrestimin e këtij të fundit.

Së dyti, shefi i Komisariatit te Vlorës, Ermal Hajdini, ish Shef Policie në Himarë gjate zgjedhjeve të 14 majit, pranoi dje botërisht se ka instruktuar dhe përdorur kallëzuesin, Arsen Ramaj sa u takon veprimeve dhe bisedave qe duhej të bënte me z.Beleri.

z. Hajdini pohoi gjithashtu faktin se Arsen Rama është paguar nga Policia e Shtetit.

Partia Demokratike është e bindur se këto dëshmi e rrëzojnë përfundimisht procesin politik ndaj kandidatit të opozitës për Bashkinë Himarë. Kodi Penal në nenin 294/a pika 3 e thotë qartë:

“Nuk duhet provokuar një akt kriminal, duke shtyrë një person të kryejë një krim, të cilin nuk do ta kishte kryer po të mos ishte ndërhyrja e Policisë. Kur provohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.”.

Siç del nga dëshmitë, edhe të provokatorit edhe të cytësve të tij, gjithçka ndaj Belerit ka qenë e programuar. Në këto kushte sipas ligjit shqiptar, të bazuar në traditat më të mira legjislative të botës së qytetëruar, akuza bie dhe çështja pushon.

Mospushimi i çështjes dëshmon për të disatën herë faktin se procesi kundër z. Beleri është montim politik. Sado të mundohet Rama dhe tellallët e tij mediatikë ta veshin me flamurin e nacionalizmave, ajo është një shkelje e të drejtave të njeriut, pavarësisht se cilës etnie apo shtetësie i përket i persekutuari.

Fredi Belerin, sigurisht, nuk e dënon etnia, ajo është vetëm një sajesë e maskarenjve që gjejnë strehë te nacionalizmi, për të mbuluar faktin; ai dënohet se kandidoi për opozitën në zgjedhje.

Jo vetëm kaq, prania e tij në zyrën e qeverisë lokale në Himarë do të ishte halë në fyt për “investitorët strategjikë” të Ramës, që pasi zhytën në beton e hekur Dhërmiun, duan të kafshojnë edhe Himarën.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të pushojë çështjen një ditë e më parë. Çdo vonesë përhap njollën e papërshtatshme për të se është në shërbim të Edi Ramës.

SPAK është ngritur për të bërë drejtësi në politikë dhe jashtë saj, jo politikë me drejtësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat