Drithërat shqiptare mbeten në depo për shkak të mungesës së tregut

Shqipëria

Drithërat shqiptare mbeten në depo për shkak të mungesës së tregut

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 20:02
Foto ilustrim

Në Shqipëri u rritën këtë vit sipërfaqet e mbjella me grurë dhe misër, por fermerët thonë se nuk po e shesin prodhimin për shkak të çmimit shumë të ulët që ndikohet nga importi i drithërave.

Në Gjirokastër prodhimi i grurit ka shkuar këtë vit për nevojat e konsumit familjar ndërsa kosto e prodhimit të drithit ishte më e ulët se viti i shkuar.

Fermerët thonë se do të jenë në vështirëse për mbjelljet e reja nëse nuk e shesin prodhimin e këtij viti.


Prodhuesit e drithërave rritën këtë vit sipërfaqet e mbjella me grurë dhe miser në Shqipëri nisur nga rritja e çmimit të grurit në tregjet e huaja vitin e shkuar, por të favorizuar edhe nga një skemë mbështetëse e qeverisë shqiptare.

Në zonën e Gjirokastrës, veçanërisht në Luginën e Drinos, interesi i disa fermerëve që marrin toka me qera u rrit, por edhe u përball edhe me sfidat e prodhimit.

Klinton Beqari që merret me kultivimin e grurit, misrit, tërshërës dhe jonxhës në këtë zonë në një sipërfaqe prej rreth 500 hektarë flet për Zërin e Amerikës lidhur me prodhimin e këtij viti.

“Ne mbjellim grurë, tërshërë, jonxhë, misër, i mbjellim të gjitha dhe në total bëhen 4 kultura rreth 500 hektarë. Deri diku mirë kemi dalë me prodhimin e misrit, gruri nuk ka qenë në prodhim shumë të mirë këtë vit. Por shpresojmë tek rritja e çmimit të tregëtimit, se çmimi është shumë i ulët për momentin si i grurit edhe i tërshërës dhe misrit”.

“Çmimi i grurit, misrit dhe tërshërës këtë vit është ulur në rreth 30 lekë për kilogramë nga 50 lekë për kg që ishte vitin e shkuar. Prodhimi po magazinohet në depo dhe nëse nuk rritet çmimi i shitjes rrezikojmë falimentimin”, thotë më tej Klintoni.

Çmimet e ulta të shitjes së grurit mund t`i frenojnë fermerët në mbjelljet e reja të këtij viti thotë për Zërin e Amerikës specialisti Balin Bineri në drejtorinë e Shërbimeve bujqësore Gjirokastër.

“Çmimi është shumë i ulët në krahasim me vitet e kaluara, por edhe kundrejt totalit të shpenzimeve me të ardhurat, kjo do bëjë që bilanci ta vërë në vështirësi fermerin dhe në këtë mënyrë një pjesë e fermerëve të cilët kanë mbjellë për tregëti, ndoshta edhe mund të frenohen disi në mbjelljet e reja.”

Zoti Bineri thotë më tej se skema e sumvencionit solli një rrije të sipërfaqes së mbjellë me grurë në të tre rrrethet Gjirokastër, Përmet dhe Tepelenë, por pritet një rikthim tek situata e mëparshme.

U rrit në të gjitha zonat e qarkut sipërfaqja e mbjellë me grurë me rreth 250 hektarë më shumë se një vit më parë dhe bëhet fjalë për mbjelljet e vjeshtës së kalur por pritshmëritë janë që për këtë vit të bier kultivimi i grurit dhe të shkojë në ato nivele që ka qenë më përpara.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë rreth 4 mijë fermerë u mbështetën në nivel kombëtar për mbjelljen e grurit me rreth 5 milionë USD ndërsa sipërfaqet me grurë u rritën me rreth 4,5% krahasuar me vitin e shkuar.

Zoti Bineri thotë se duhen parë nje seri faktorësh për të nxitur kultimin e këtyre kulturave, por siguruar edhe tregje konkuruese në raport me importin e drithërave.

Ndërsa Zoti Beqari thotë se këtë vit ka një ulje të çmimit të plehrave kimikë, por kostot e prodhimit vijojnë të mbeten të larta.

“Këtë vit kanë rënë disi çmimet e plehrave kimikë por problem është se ne i kemi marrë të shtrenjta të vitit të kaluar dhe ky ëhstë prodhimi i vitit të kaluar pavarësisht se del një vit me vonesë, por të gjitha janë marrë shumë të shtrenjta.“

Megjithatë Klintoni thotë se do vijojë do vijojë të mbjellë pasi e ka marrë edhe për këtë vit farën e misrit dhe grurit.

Patjetër që do të mbjellim edhe këtë vit. I kemi marrë të gjitha masat, tokat i kemi, farat i kemi marrë dhe për çdo gjë jemi përgatitur. Do vazhdojmë të punojmë deri sat ë falimentojmë,nuk kemi zgjidhje tjetër. I kemi hyrë kësaj “valleje” dhe do ta hedhim deri në fund.

Sipas vetë fermerëve një nga faktorët që po ndikojn në çmimin e ulët të shitjes së grurit dhe misrit është importi i drithit.

Shqipëria plotëson rreth 50% të nevojave nga prodhimi vendas dhe pjesa tjetër importohet kryesisht nga Serbia, Ukraina dhe Rusia.

Pjesa më e madhe e importit të drithit rreth 40% sipas të dhënave të Institutit të Statistikave është realizuar këtë vit nga Serbia dhe çmimet e importit janë kryesisht 31-32 lekë për kilogramë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave gjatë këtij viti për periudhën janar- korrik u importuan rreth 130,351 tonë drithëra, ndërkohë që në vitin 2022 u importuan 135,409 ndërsa në vitin 2021 u importuan rreth 159,000 tonë drithëra./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat