Drama e një nëne në Bulqizë: I rrëmbejnë vajzën 15-vjeçare dhe e kërcënojnë

Shqipëria

Drama e një nëne në Bulqizë: I rrëmbejnë vajzën 15-vjeçare dhe e kërcënojnë

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 11:49
Policia e Shtetit

Policia e Bulqizës ka arrestuar tre persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kanë kanosur me armë mamanë e një vajze 15-vjeçe që kjo e fundit të mos i kallëzonte në polici. Sipas policisë, vajza e mitur ka patur një lidhje me njërin nga shtetasit e shpallur në kërkim.

Njoftimi i plotë:

Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u arrestuan në flagrancë shtetasit :

-Dorjan Totraku, 29 vjeç

-Izmir Gjetani, 24 vjeç

-Idriz Gjetani, 20 vjeç, të tre banues në Bulqizë.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit:

F.T, 30 vjeç, banues në Bulqizë (i dënuar më parë për “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”).

E.D, 21 vjeç, banues në Bulqizë.

Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur për të tërhequr kallëzimin nga Policia shtetasen H.K, pasi kjo shtetase me datë 05.09.2018, ka bërë kallëzim se në orët e mbrëmjes në banesën e saj kanë ardhur shtetasit F.T, dhe E.D, ku dyshohet se nën kërcënimin e një arme zjarri, kanë kërcënuar familjarët që ndodheshin në banesë, dhe më pas janë larguar së bashku me shtetasen M.K, 15 vjeçe.

Nga deklarimet e shtetases H.K (nëna e saj), dyshohet se vajza M.K, ka patur lidhje me shtetasin F.T.

Nga ana e Policisë po punohet intensivisht për gjetjen e vajzës, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit”, “Kanosja për të mos kallëzuar”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 302, 311, 25 të Kodit Penal, në ngarkim të 3 shtetasve të arrestuar, dhe për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë“, Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake“, “Përndjekja“, “Kanosja”, parashikuar nga nenet 110, 278, 121/ a , 84, të Kodit Penal në ngarkim të 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat