Qëndrueshmëria, kryefjalë e turizmit në Shqipëri

Shqipëria

Qëndrueshmëria, kryefjalë e turizmit në Shqipëri

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 10:12
Ilustrim

Hajrulla Çeku, zëvendësministër i Mjedisit dhe Turizmit, theksoi se vendi ynë ka pësuar një rritje të ndjeshme të turistëve, ndërsa tashmë, sfida është që ky turizëm të jetë i qëndrueshëm.

“Vetëm gushti ka pasur 27% rritje krahasuar me gushtin e vitit të shkuar kur bëhet fjalë për hyrjen e shtetasve të huaj. Ka një projeksion që pritet të kapi vlerën e 6 milion të turistëve të huaj në Shqipëri, që na jep optimizëm për më shumë. Por pyetja që shtrojmë është se a duhet të mendojmë se numrat tregojnë gjithçka në turizëm? Ne mendojmë se kjo nuk është gjithçka, është një indikacion, por jo thelbi. Qëndrueshmëria duhet të jetë kryefjala e turizmit në Shqipëri. Kjo është sfida më e madhe që ballafaqohet dhe sfida jonë si Ministri e Mjedisit dhe Turizmit”, tha Çeku, gjatë një aktiviteti të organizuar nga Ambasada Gjermane në Himarë, për  promovuar turizmin në jug të vendit.

Sipas tij, çështja e turizmit nuk është ekskluzivitet i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, pasi janë shumë institucione të tjera lokale e rajonale që kanë një rol të rëndësishëm mbi super për të ofruar një turizëm të qëndrueshëm.

“Duhet thënë se Turizmi nuk është ekskluzive e vetëm Ministrisë, pasi janë shumë institucione të tjera dhe rajonale që ndërmarrin dhe kujdesen për menaxhimin e turizmin, ne si njësi qendrore duhet të jemi më të përgatitur për menaxhimin e  gjithë këtyre hallkave, ku biznesi mban barrën më të madhe. Prandaj duhet që turizmin ta vendosim në binaret e sigurisë e qëndrueshmërisë dhe jo të një lufte që lidhet me numrat. Duhet të synojmë një kontribut më të madh të turizmit në ekonomi, punësim, si dhe shpërndarje të ardhurave ekonomike e sociale të të mirave që sjell turizmi si në shtrirje gjeografike, por dhe në shtresa të ndryshme ekonomike e sociale të vendit. Turizmin pra duhet ta kuptojmë si një sektorë të qëndrueshëm që sjell rritje dhe barazi e kohezion social, pasi secili qytetarë pavarësisht se ku banon, duhet ta shoh angazhimin në turizëm si potencial për punësim e për të rritur të ardhurat për fa miljen e komunitetin”, vijoi Çeku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat