Rama i fton për dialog në Parlament, studentët: Janë pallavra qeverie!

Shqipëria

Rama i fton për dialog në Parlament, studentët: Janë pallavra qeverie!

Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 11:31
Protesta e studentëve

Mijëra studentë janë vendosur para Parlamentit, duke kërkuar përmbushjen e 8 kërkesave që i kanë drejtuar qeverisë Rama dhe njëkohësisht thërrasin të gjithë bashkë: “Ulni tarifat!”.

E teksa thirrjet e tyre i drejtohen kryeministrit, vetë Rama nga Kuvendi pranoi se revolta studentore ishte shuplakë ndaj qeverisë, por tha se kërkesat e studentëve duhen dialoguar.

“Jam gati të diskutoj me ta por a duan studentët?! Shuplaka të tilla na duhen për tu bërë më të vetëdijshëm. Kërkoj dialog jo për të vonuar zgjidhjen apo për ta zgjatur pafund por për të hapur një kapitull. Të tetë pikat janë të realizueshme dhe ne jemi gati të realizojmë”, tha kryeministri.

Ai madje vijoi më tej duke thënë se “salla është në dispozicion për studentët”.

“Janë të ftuar në çdo moment edhe këtu në këtë sallë, nëse dëshirojnë që të diskutojnë hapur lidhur me 8 pikat e tyre por edhe më shumë se kaq. Opozita reale janë ata studentë që kanë vendosur të ngrenë krye kundër atij sistemi që i ka marrë peng dhe na kanë dhënë një shuplakë për të na shkundur dhe për të na bërë që ti hapim sytë më shumë dhe ti fokusojmë më shumë tek ajo që ndodh. Unë jam gati këtu e kudo që studentët duan të flasin me ta. Jo për ti torolisur, as për të mbyllur protestën. Nuk dua që protesta të mbyllet…”, theksoi Rama.

Por jashtë Parlamentit, turma thërriti: “Pallavra qeverie!  Të marrë vendimmarrje!”.

Ndërkohë Rama sërish vijoi duke ju thënë: “Unë dua të jem pjesë e protestës në vazhdim, ajo mund të mbarojë në rrugë, por duhet të vazhdojë si një rrjet i strukturuar, si ata që kërkojnë zgjidhje ekonomike dhe futen në një sistem kur nuk kanë dinjitet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat