Shqipëria kërkon lavdinë në Europian me 7 shtangistë

Sporti

Shqipëria kërkon lavdinë në Europian me 7 shtangistë

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 12:30
Briken Calja

Peshëngritja shqiptare ka përpara një eveniment shumë të rëndësishëm, siç është Kampionati Europian, aktivitet që po mbahen në Sofje të Bullgarisë që prej datës 12 shkurt.

Kombëtarja Kuqezi përfaqësohet në këtë event me shtatë shtangistë, ndërsa i pari që do të ngjitet në pedanë do të jetë një emër i madh si Briken Calja, ishkampion i trefishtë në Kontinentin e Vjetër.

Calja do të konkurrojë nesër në mbrëmje në Baterinë A të peshave 73 kg, me garën e tij që nis në orën 19:00.

Peshëngritësi nga Shtërmeni kërkon në këtë aktivitet që të sigurojë edhe normën për “Paris 2024”, ndërsa betejën e parë e ka fituar, duke zbritur në peshën olimpike 73 kg.

Më tej më 16 shkurt do të jetë radha për Erkand Qerimajn dhe Kristi Ramadanin në kategorinë e peshave 81 kg, një peshë kjo joolimpike.

Qerimaj do të garojë në orën 19:00 në Baterinë A, ndërsa Ramadani e nis nga Bateria B, me garën e tij që starton në orën 13:00. Më tej më 17 shkurt do të jetë radha për Ertjan Kofshën, talentin premtues të peshëngritjes tonë. Shtangisti shtërmenas për herë të parë do të matë forcat në një garë ndërkombëtare për të rritur, teksa do të konkurrojë në Baterinë A të peshave 89 kg, me garën e tij që nis në orën 16:00.

Përfaqësimi kuqezi në Sofje do të vijojë më tej më 18 shkurt në orën 10:00, me Ermand Tabakun në Baterinë B të peshave 96 kg, ndërsa do të mbyllet më 19 shkurt në orën 09:00 me Baterinë B të peshave 109 kg me konkurrimin e Albert Metës dhe Franko Ferrës.

Kujtojmë që Shqipëria për herë të parë gjatë këtyre dekadave, aktualisht nuk ka asnjë sportist të kualifikuar me normë për në Olimpiadë, ndërsa Europiani është eventi i parafundit kualifikues për në “Paris 2024”. Biletat e fundit kualifikuese do të jepen në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Phuket të Tajlandës nga 31 marsi deri më 11 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat