Jon Pirana, pasardhësi i Dardan Berishës...

Basketboll

Jon Pirana, pasardhësi i Dardan Berishës...

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 11:07
Jon Pirana, pasardhësi i Dardan Berishës...

Në ndeshjen derbi të javës së 15-të të Superligës së Koosvës në basketboll, ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Bashkimit, në lojë u paraqit edhe një talent i ri i basketbollit të Kosovës.

Fjala është për 15-vjeçarin Jon Pirana, i cili debutoi me fanellën e seniorëve të Ponte Prizrenit, skuadër kjo e cila drejtohet nga njëri prej trajnerëve që po lë gjurmë në basketollin kosovar, Arbnor Rifati. Joni në këtë sfidë luajti për disa minuta, ndërkohë që paraqitja e tij jep shpresë se e ardhmja e këtij basketbollisti të ri do të jetë e ndritur.

Mu për këtë, trajneri Rifati shpreh besimin e tij të plotë se Pirana mund të jetë një prej pasardhësve të Lis Shoshit, Dardan Berishës apo Erjon Kastratit. 
“Jon Pirana është një basketbollist perspektiv, i cili hapat dhe ngritjen si lojtar e ka filluar tek ekipi Megasports, skuadër kjo e drejtuar nga Edon Godeni”, shprehet Rifati, teksa shton se trajneri Godeni, pasi e ka parë një program afatgjatë të KB Ponte Prizreni, na e ka ofruar Jonin, i cili nga fillimi i kampionatit ushtron me ekipin A.

“Joni është basketbollist me potencial të lartë, perspektiv dhe premtues, veçse i nevojitet shumë punë dhe disiplinë”, saktësoi Rifati.

Tutje trajneri prizrenas shtoi se, në ekipin e tij nuk dallime ndërmjet lojtarëve, pasi të gjithë janë të edukuar mirë, ndërkohë që Joni ka tipare të ngritura të një familjeje intelektuale dhe është nxënës shembullor.

Ndërkohë për ekipin e tij, Rifati thotë se tashmë Ponte Prizreni është një klub i madh në nivel vendi, ndërsa Joni, nëse vazhdon me punë profesionale ai do të jetë një prej basketbollistëve më të dalluar në Kosovë. 

I pyetur për guximin e tij për ta inkuadruar në lojë një basketbollist fare të ri, me moshë 15-vjeçare, Rifati thekson: “Jam krenar me guximin tim si trajner që kam futur në lojë në ndeshjen në lojë në ndeshjen derbi, por unë shpesh e bëj një gjë të tillë, pasi edhe vitin e kaluar, në të njëjtën moshë, e kam futur në lojë Leorit Morinën, i cili ma ka arsyetuar besimin”, vlerësoi trajneri Rifati, i cili në fund shtoi se Pirana tash për tash mund të luajë në pozitat 3,4 dhe 5, ndërkohë që ai është lojtar bazë i ekipit të juniorëve të Ponte Prizrenit. 

Skuadra e drejtuar nga Arbnor Rifati momentalisht është në pozitën e tretë me 22 pikë (8 fitore, 6 humbje). Në javën e ardhshme Ponte Prizreni do të jetë mysafir i Golden Eagle Yllit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat