Krerët e lartë të FBK-së marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

Basketboll

Krerët e lartë të FBK-së marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

Më: 9 tetor 2020 Në ora: 22:43
Krerët e lartë të FBK-së marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku sot kanë marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të FIBA Evropës, e cila është mbajtur për herë të parë në formë virtuale për shkak të pandemisë COVID-19.

Asambleja e Përgjithshme është udhëhequr nga Presidenti i FIBA Evropës, Turgay Demirel, në praninë e Presidentit të FIBA Botës, Hamane Niang, Sekretarit të Përgjithshëm të FIBA Botës, Andreas Zagklis, Drejtorit Ekzekutiv të FIBA Evropës, Kamil Novak dhe me prezencën e anëtarëve të Bordit të FIBA Evropës.

Presidenti Demirel e ka mbajtur fjalimin e tij vjetor ku theks të veçantë kësaj radhe i ka dhënë rrethanave të veëanta që janë krijuar me rastin e përhapjes së pandemisë COVID-19, që edhe e ka pamundësuar organizimin e Asamblesë së Përgjithshme të ndodhte fizikisht këtë vit.

Në fjalën e tij të hapjes Presidenti Demirel ofroi një përmbledhje të shkurtër të asaj që u vlerësuan si suksese si organizimi i FIBA Eurobasket në konkurrencën e femrave në Letoni dhe Serbi dhe FIBA Kampionatet Evropiane të gjeneratave të reja që janë organizuar nga 15 Federata Nacionale.

Presidenti Demirel gjithashtu e ka përmendur suksesin e madh të Kombëtareve evropiane në Kupën e Botës "Kina 2019", event ky i organizuar në mënyrë madhështore në Kinë.

Ai ka deklaruar se FIBA Evropa ka reaguar shumë shpejtë kur pandemia COVID-19 është bërë një krizë, duke reaguar me anulimin e ngjarjeve dhe ricaktimin e disa të tjerave, ndërsa ka përgatitur edhe një udhërrëfyes të detajuar ku përshkruhet ritkhimi në basketboll në fazën e mëvonshme, gjithmonë në konsultim me të gjitha grupet e interesit dhe duke marrë parasysh shëndetin e pjesëmarrësve.

Presidenti Demirel i ka nderuar Borislav Stankoviq-in, David Stern dhe Kobe Bryant të cilët fatkeqësisht kanë ndërruar jetë këtë vit.

Ndërkaq në deklaratat e tyre, Presidenti Niang dhe Sekretari i Përgjithshëm, Zagklis e kanë vlerësuar punën e bërë nga Bordi i FIBA Evropës, Federatat Nacionale dhe zyret e tyre, në këto kohë të vështira.

Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës, Novak ka prezantuar para delegatëve të 49 Federatave Nacionale raportin vjetor, duke mbuluar kështu të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet që nga Asambleja e Përgjithshme e vitit 2019.

Presidentët e Komisioneve të FIBA Evropës, pjesë e të cilave janë edhe Kryetari Fetahu (Komisioni Legal) dhe Sekretarja e Përgjithshme, Dushku (Komisioni i të Rinjve) kanë raportuar para delegatëve për punën e bërë gjatë vitit 2019/20 në këto Komisione.

Delegatët e pranishëm e miratuan zyrtarisht datën 15 Maj 2021 si datën e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të FIBA Evropës që do të organizohet në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.

Gjithashtu në këtë Asamble delegatët e miratuan edhe kërkesën e Federatës së Basketbollit të Lituanisë për organizimin e Asamblesë së Përgjithshme të FIBA Evropës në vitin 2022 në kryeqytetin e Lituanisë në Vilnius. Me këtë rast Federata e Lituanisë do ta festojë edhe 100 vjetorin e themelimit të saj. Në fakt ka qenë Vilnius qyteti që në vitin 2020 është dashur të mikpresë delegatët e Federatave Nacionale të Evropës në këtë Asamble, por përhapja e pandemisë COVID-19 e ka pamundësuar një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat