Selimi ballëlart me RC Cola Dritën: Vetëm e vërejmë ndryshimin e lojës 

Basketboll

Selimi ballëlart me RC Cola Dritën: Vetëm e vërejmë ndryshimin e lojës 

Nga: Kemajl Goca Më: 28 janar 2021 Në ora: 17:25
Gyltekin Selimi

Sa vijnë e kalojnë javët gjithnjë e më nxehtë bëhet gara për vendin e parë edhe në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll (meshkuj). 

Tri skuadrat luftojnë për pozitën e parë, RC Cola Drita, AS Prishtina dhe Istogu.

RC Cola Drita është lider i ri pas fitores me rezultat 85:71 ndaj rivalit direkt për vend të parë, AS Prishtina. 

Trajneri i RC Cola Drita, Gyltekin Selimi, tha se është një fitore në momentin e duhur dhe që ia përforcon edhe më shumë hapin drejt elitës. 

Ekipi nga Gjilani ka një ecuri shumë të mirë, nga 10 ndeshje ka regjistruar 9 fitore dhe 1 humbje, duke kryesuar renditjen me 19 pikë aq sa ka edhe AS Prishtina në pozitën e dytë, ndërsa Istogu është i treti me 18 sosh. 

AS Prishtina njoftohet me humbjen e parë pas një seri fantastike, 9 fitore radhazi. 

Selimi tregon se ku ishte edhe arma më e fortë që e mposhtën ekipin nga kryeqyteti.

“Mendoj që përgatitja fizike edhe kundërzbritjet, angazhimi në mbrojtje dhe puna ekipore kanë dhënë këtë rezultat”, thotë Selimi për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Tri skuadra luftojnë fyt për fyti për vend të parë, RC Cola Drita me 19 pikë, sa ka edhe AS Prishtina dhe Istogu me 18 sosh, ku i sheh përparësitë e skuadrës tuaj deri në fund të kampionatit apo çfarë e dallon nga rivalët?

“Kemi analizuar sezonin e kaluar duke parë kështu se cilat kanë qenë mangësitë tona dhe kemi punuar për t’i eliminuar ato. Hapi i parë dhe më i rëndësishmi në plotësimin e mangësive, dhe që besojmë se ja  kemi arritur, është përforcimi me lojtarë cilësorë.

Ne kemi gjithashtu parasysh se edhe KB Istogu ka punuar në këtë drejtim duke sjell përforcime, andaj për ndeshjen për kupë me 3 shkurt do të shohim edhe  konkretisht se ku qëndrojmë edhe pse tashmë vetëm e vërejmë ndryshimin e lojës nga sezoni i parë tani në të dytin”, përgjigjet Selimi.

Gjithçka është e hapur për vend të parë për faktin se deri në fund janë edhe tetë javë për t’u luajtur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat