Kombëtarja shqiptare e basketbollit fle në aeroport

Basketboll

Kombëtarja shqiptare e basketbollit fle në aeroport

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 12:45
Kombëtarja shqiptare

Shqipëria e basketbollit do të debutojë të dielën në paraeliminatoret e Kupës së Botës 2027, teksa kuqezinjtë do ta nisin me një ndeshje jashtë fushe kundër Armenisë.

Kombëtarja shqiptare e basketbollit para nisjes për në Armeni nga aeroporti i Tiranës

Por për Kombëtaren tonë transferta në drejtim të Jerevanit është një kalvar më vete. Përfaqësuesja shqiptare e basketbollit është nisur nga Rinasi mbrëmjen e djeshme, me tranzitin në Vjenë. “Panorama Sport” mëson se lojtarët dhe stafi i Shqipërisë e kanë kaluar natën në aeroportin austriak, për të nisur më pas në mëngjesin e sotëm fluturimin drejt kryeqytetit Armen, aty ku të dielën në orën 15:00 do të ndeshen me përfaqësuesen vendëse.

Një transfertë sfilitëse që është treguesi më i qartë i situatës së vështirë financiare të lojërave me dorë në Shqipëri, me federatat që nuk arrijnë dot të përballojnë kostot e aktiviteteve, duke u munduar që të kursejnë edhe për transportin.

Kujtojmë që në një situatë të ngjashme disa vite më parë ishte edhe përfaqësuesja e volejbollit të meshkujve, e cila udhëtoi me autobus në drejtim të Austrisë për një ndeshje shumë të rëndësishme ku vendoseshin fatet e kualifikimit për në Kampionatin Europian.

Duke u rikthyer te Kombëtarja e basketbollit, Shqipëria, nën drejtimin e trajnerit Erkand Karaji, prej datës 19 shkurt ka zhvilluar përgatitjet në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë. Kuqezinjtë do të zhvillojnë katër ndeshje për fazën paraeliminatore të Kupës së Botës, teksa pas përballjes në Armeni, ndeshja e radhës do të jetë më datë 21 nëntor 2024 në shtëpi kundër Austrisë. Më tej takimi i tretë në grup do të luhet në vitin 2025, teksa më 20 shkurt kuqezinjtë do të kenë një tjetër ndeshje në shtëpi, duke pritur Armeninë.

Ndërsa paraeliminatoret do të mbyllen më 23 shkurt 2025 me transfertën në Austri.

Siç dihet përfaqësuesja e sportit të koshit po kalon vite shumë të vështira për sa u përket rezultateve. Shqipëria e mbylli raundin e tretë kualifikues të Kampionatit Europian 2025 me 4 humbje në po kaq takime të zhvilluara, ndërsa kuqezinjtë vijnë pas shtatë humbjesh radhazi. Fitorja e fundit e Shqipërisë daton më 25 nëntor 2021 kundër Luksemburgut në shtëpi në raundin e parë të kualifikueseve të Europianit 2025, me Kombëtaren që asokohe drejtohej nga trajneri Afrim Bilali. Tashmë Shqipëria kërkon rikthimin te rezultatet pozitive, ndërsa i pret një betejë e fortë në tokën armene.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat