Celtics fitojnë dhe vendosin një tjetër rekord

Basketboll

Celtics fitojnë dhe vendosin një tjetër rekord

Më: 13 mars 2024 Në ora: 17:22
Pamje nga ndeshja

Boston nuk ndalet dhe i shton një tjetër sukses ecurisë rekord në këtë sezon të NBA. Celtics kaluan transfertën e Utah me rezultatin 107-123, duke siguruar fitoren e 51-të në këtë edicion të rregullt të basketbollit amerikan. Asnjë skuadër tjetër nuk e ka kaluar kuotën e 45 fitoreve në këtë sezon. Edhe një herë, njeriu i triumfit të fundit ishte Jayson Tatum.

“Ylli” i Boston shënoi 38 pikë, me 100% saktësi në goditjet për tre. Kjo fitore konfirmon edhe një herë forcën e Celtics që thellojnë edhe shkëputjen në krye të Konferencës së Lindjes. Krejt i ndryshëm është diskutimi në Perëndim, ku kreu i klasifikimit bëri një tjetër rrokadë në mbrëmjen e fundit të NBA.

Oklahoma zgjati shumë pak në vendin e parë, ndërsa e lëshoi atë pas humbjes në shtëpi nga Indiana me rezultatin 111-121. Për Thunders, nuk mjaftoi një tjetër paraqitje e shkëlqyer e Shai Gilgeous-Alexander, që mbylli ndeshjen me dy shifra dopjo 30 pikë dhe 10 topa të kapur në tabelë.

Për Pacers, shënuesi më i mirë ishte Myles Turner me 24 pikë, por një punë të mirë poshtë koshave bënë Tyrese Haliburton dhe Pascal Siakam, me nga dy shifra dopjo.

Nga humbja e Oklahoma ka përfituar Minnesota. “Timberwolves” u kthyen te suksesi dhe në krye të Konferencës së Perëndimit, pas fitores 118-100 në transfertën kundër Los Angeles Clippers, me Anthony Edwards, që mori rolin e liderit për skuadrën e tij, duke u shpallur shënuesi më i mirë i ndeshjes me 37 pikë, falë një përqindje shumë të lartë të gjuajtjeve nga fusha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat