Partia daneze bën thirrje për dëbimin e 700 mijë myslimanëve

Evropë

Partia daneze bën thirrje për dëbimin e 700 mijë myslimanëve

Më: 5 maj 2019 Në ora: 13:30
Danimarkë

Një parti politike e ekstremit të djathtë në Danimarkë, e cila ka bërë thirrje për dëbimin e 700 mijë myslimanëve, do të jetë në listën zgjedhore për herë të parë në këtë shtet gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që do të shpallen brenda pak ditësh.

Partia “Stram Kurs”, e cila udhëhiqet nga Rasmus Paludan, avokat që aktualisht është duke bërë ankesë kundër dënimit për racizëm, besohet se do t’i fitojë disa ulëse në kuvend pasi e kaloi pragun fillestar që nevojitet për qëndrim në zgjedhje.

Sipas ligjeve të Danimarkës, zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen para datës 17 qershor. Kryeministri i Danimarkës, Lars Rasmussen, pritet ta fillojë fushatën parazgjedhore në fillim të javës së ardhshme.

Partia e ekstremit të djathtë i siguroi 20 mijë nënshkrimet e nevojshme për të qëndruar pjesë e garës pasi udhëheqësi i saj e luajti rolin kryesor në nxitjen e kryengritjeve gjatë Pashkëve në lagjen Norrebro të Kopenhagës.

Paludan vazhdimisht ka nxitur trazira përmes protestave anti-islame në disa zona të kryeqytetit danez, ku jetojnë shumë myslimanë. Ai më parë e kishte hedhur një libër në ajër dhe e kishte lënë të binte në tokë. Sipas tij, ai libër ishte Kurani.

Tash për tash, atij i është ndaluar publikimi i shkrimeve në Facebook për shkak të përmbajtjeve raciste. Ai ka bërë ankesë edhe ndaj një dënimi për qëndrime raciste për banorët e Afrikës në një video të publikuar në internet, shkruan “The Guardian”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat