Thellohet kriza e refugjatëve në kufirin greko-turk

Evropë

Thellohet kriza e refugjatëve në kufirin greko-turk

Më: 6 mars 2020 Në ora: 22:05
Refugjatët në kufirin greko-turk

Teksa Greqia po punon për të kthyer pas mijëra migrantë, të cilët përpiqen të hyjnë aty nga Turqia, Ankaraja nga ana tjetër, ka dërguar më shumë se 1000 forca policore shtesë në zonën kufitare.

Këto zhvillime vijnë në një moment kur Ankaraja akuzon forcat greke të sigurisë se kanë qëlluar me armë mbi migrantët duke vrarë gjashtë prej tyre, një javë pasi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan, vendosi të hapë kufijtë e vendit të tij (më 28 shkurt) për t’i lejuar ata drejt Evropës Perëndimore.

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Soylu tha se vendosja e forcave shtesë të policisë, ka si qëllim që të parandalojë forcat greke të sigurisë t’i kthejnë migrantët sërish drej Turqisë, që sipas tij, do të ishte një veprim i paligjshëm.

"Forcat greke të sigurisë plagosën 164 njerëz. Ato u përpoqën të kthejnë 4,900 persona përsëri në Turqi," u tha gazetarëve Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sulejman Soylu Soylu. "Ne po vendosim një mijë policë të forcave speciale në kufij, për të parandaluar kthimin e tyre në Turqi", theksoi më tej ministri turk.

Gjashtë migrantë u qëlluan me armë zjarri dhe njeri prej tyre u vra, sipas një deklarate të mërkurën nga zyra e guvernatorit të qytetit kufitar turk, Edirne. Athina i hodhi poshtë këto raportime, duke i cilësuar si 'lajme të rreme’.

Kritika për Greqinë dhe Bashkimin Europian

Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut i kanë dënuar taktikat e përdorura nga rojet greke në kufi.

"Është një pamje shumë shqetësuese. Rojet kufitare greke vazhdimisht përdorin gaz lotsjellës për të larguar turmat e njerëzve," tha studiuesi i organizatës Amnesty International, Andrew Gardner, I cili isht enë kufirin turko-grek. "Ka njoftime për plagosje dhe ne kemi parë të paktën tre ambulanca që po shkonin drejt kufirit”, shtoi ai.

Rastet e fundit te dhunës ndodhën, ndërsa udhëheqësit e Bashkimit Evropian vizituan Greqinë të mërkurën në shenjë solidariteti. Duke mbështetur qëndrimin e ashpër të Athinës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e cilësoi Greqinë si “mburoja evropiane".

"Duke mbështetur rojet kufitare greke që përdorin gaz lotsjellës dhe mjete të tjera të dhunshme për të parandaluar kalimin në kufirin tokësor është sjellje e rrezikshme, dhe ndoshta kriminale, ndaj azilkërkuesve," tha Lotte Leicht, drejtore për Bashkimin Europian në Human Right Watch.

"Nëse zyrtarët më të lartë të BE-së janë të gatshëm të mbyllin sytë ndaj abuzimeve të tilla dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar, ata duhet të presin të njëjtën gjë", shtoi ajo.

Strategjia e Erdoganit

Bashkimi Europian u kap në befasi javën e kaluar, kur presidenti Erdogan njoftoi se Turqia nuk mund të përballojë më barrën e mbajtjes së 4 milionë refugjatëve dhe se autoritetet turke nuk do t’i ndalojnë më migrantët që duan të shkojnë në vendet fqinje, anëtare të BE-së.

"Kjo është përpjekje e dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen e Evropës dhe ia arriti," tha Asli Aydintasbas, studiues pranë Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. "Turqia dëshiron të rinegociojë marrëveshjen e refugjatëve të vitit 2016 dhe kërkon më shumë fonde", theksoi më tej zoti Asli Aydintasbas.

Marrëveshja për refugjatët e vitit 2016 midis Turqisë dhe BE, i dha fund lëvizjes masive të tyre drejt Evropës.

Por presidenti turk akuzon Brukselin se nuk ka respektuar angazhimet financiare, si dhe disa favore të tjera politike, përfshirë udhëtimin në BE pa viza për qytetarët turq. Brukseli, nga ana e tij, thotë se Ankaraja nuk ka zbatuar detyrimet e veta.

Kriza e fundit në kufirin grek duket se po e rikthen vëmendjen e udhëheqësve evropianë drejt kësaj çështjeje, për të gjetur një zgjidhje për të.

A ka sukses udhëheqësi turk?

Të hënën zoti Erdogan, duke folur disi me ironi, tha se udhëhëqësit e Evropës po presin në “radhë” për të folur me të. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel u takua me presidentin turk të mërkurën.

Analistët mendojnë se politika e brendshme mund të ketë ndikuar në qëndrimin e ri të ashpër të zotit Erdogan ndaj Bashkimit Europian. Heqja e kontrollit të kufirit, javën e kaluar, përkoi me vrasjen e mbi 30 ushtarëve turq në Siri.

"Unë mendoj se pas sulmit sirian dhe rus ndaj forcave turke, ka patur një zemërim të madh tek publiku në Turqi," thotë zoti Aydintasbas. Sipas tij historia e re për refugjatët në kufirin turk, e ndryshon debatin dhe e drejton zemërimin në Turqi drejt europianëve.

Muajin e kaluar, Ankaraja forcoi praninë e saj ushtarake në provincën Idlib të Sirisë, një veprim për të parandaluar Damaskun të merrte dhe fortesën e fundit të rebelëve sirianë.

Zoti Erdogan është zotuar të mos lejojë që Idlibi të bjerë në duart e Damaskut, duke theksuar se kjo do të sillte miliona refugjatë të rinj në Turqi.

"Nëse vendet evropiane duan të zgjidhin krizën e migracionit, ata duhet të mbështesin zgjidhjet politike dhe humanitare të Turqisë në Siri," tha zoti Erdogan të mërkurën në parlament.

Presidenti turk po kërkon që vendet evropiane të mbështesin planin e tij për të krijuar një strehë të sigurt në Idlib dhe duke krijuar një zonë të ndaluar për fluturimet ushtarake mbi të. Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu mbështetje të hënën për një strehë të sigurt.

Të mërkurën, Stef Blok, Ministr i i Punëve të Jashtme të Holandës shkrkuajti në Twitter se "Katastrofa humanitare që po ndodh në Idlib është e jashtëzakonshme. Një milionë refugjatë të tjerë janë të detyruar të ikin. Kjo është arsyeja pse unë bëj thirrje për bisedime mes BE-së, Rusisë dhe Turqisë” , u shpreh ai./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat