Zvicra dhe Italia, nisma për vaksina kundër coronavirusit

Evropë

Zvicra dhe Italia, nisma për vaksina kundër coronavirusit

Më: 23 prill 2020 Në ora: 14:39
Ilustrim

Gjatë verës në Itali pritet të testohet një model vaksine kundër koronavirusit, dhe të prodhohen miliona doza për një kohë të shkurtër. Në Zvicër ndërkohë, një shkencëtar synon ta bëjë një produkt alternativ të disponueshëm brenda vitit.

Zvicra mund ta ketë gati brenda vitit vaksinën kundër koronavirusit, nëse financohen dhe vërtetohen edhe në terren rezultatet laboratorike.

Martin Bahman, kreu i departamentit të imunologjisë në një spital të kryeqytetit zviceran, thotë se ai pret certifikimin e produktit nga autoritetet vendëse.

Antitrupat e marrë nga pacientë me Covid-19 janë testuar më parë te kavjet, ndërsa në gusht shpresohet të nisë imunizimi i rreth 250 personave.

“Sistemi ynë bazohet te përdorimi i grimave virusore, si ato që përdoren në vaksinën e hepatitit B apo për virusin e papilomës te njeriu. Grimca i ngjason koronavirusit por nuk ka materialin gjenetik që të mund të riprodhohet. Do e kemi gati së shpejti,” tregon shkencëtari zviceran, teksa shton se këtë javë do i provojë efektet e vaksinës në trupin e vet.

Vaksina e prodhuar në Zvicër i shtohet totalit prej 70 substancave kimike që po studiohen kudo nëpër botë, madje disa kanë hyrë edhe në fazën e testimit.

Në Itali testimi i tyre te njerëzit parashikohet të nisë në stinën e verës, me objektivin për të prodhuar miliona doza në kohë rekord.

Deri atëherë, rajonet italiane epiqendra të pandemisë, siç janë Lombardia, Veneto apo Emilia-Romanja, do të përdorin analizat e gjakut për të testuar përhapjen e pandemisë së koronavirusit dhe sa persona realisht kanë fituar antitrupat ndaj saj.

“Numrat realë që marrim nga testimet na tregojmë se shpërthimi i sëmundjes është më i madh sesa ai që konfirmohet me shifra zyrtare. Për të kaluar te faza e daljes nga shtetrrethimi duhet të identifikojmë sa më shumë njerëz të shëndetshëm që bartin virusin dhe janë burim infeksioni,” shprehet kryebashkiaku i komunës Çisliano, në Milano.

Analizat serologjike apo ato të gjakut janë më të shpejta sesa testimet në spitale për Covid-19.

Në përfundim të procesit, personat që kanë antitrupat do pajisen me të ashtuquajturat certifikata imuniteti që të mund të rikthehen të sigurt në punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat