Pretendime për trafikim të vaksinave anti-Covid, presidenti i Ukrainës urdhëron nisjen e hetimeve

Evropë

Pretendime për trafikim të vaksinave anti-Covid, presidenti i Ukrainës urdhëron nisjen e hetimeve

Më: 7 janar 2021 Në ora: 22:50
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka urdhëruar nisjen e hetimeve pas raportimeve se zyrtarë të shtetit janë vaksinuar fshehtas me vaksina të trafikuara nga jashtë në Kiev.

Një sipërmarrës ukrainas nxiti debate pasi deklaroi se disa ligjvënës kanë marrë vaksina të Pfizer/BioNTech në mënyrë private në një klinikë të kryeqytetit. Zyrtarisht Ukraina nuk ka importuar ende asnjë dozë nga vaksinat e miratuara kundër coronavirus-it dhe kjo ka nxitur pakënaqësi.

Pretendohet se vaksinat në fjalë janë trafikuar në mënyrë të paligjshme në Ukrainë në fund të muajit dhjetor përmes një avioni tip Charter nga Izraeli dhe zyrtarët kanë paguar deri në 2,500 euro për secilën nga dy dozat e nevojshme për t’u imunizuar nga COVID-19.

Euronews nuk ka mundur ta konfirmojë këtë pretendim, megjithatë në Kiev kjo gjë nuk ka kaluar paqtë dhe Presidenti Zelensky ka urdhëruar hetim të menjëhershëm.

“Kam udhëzuar hetimin e menjëhershëm dhe verifikimin e informacioneve rreth pretendimeve për trafikim të vaksinave të COVID-19 në Ukrainë. Nëse ndokush ka menduar vërtetë të importojë në shkelje të ligjeve vaksina për shitje, reagimi duhet të jetë sa më i ashpër të mundet. Shteti ka një plan të qartë vaksinimi. Si fillim popullata më e rrezikuar, më pas ata të vijës së parë të shërbimeve,” – u shpreh në një postim në profilin e tij Telegram Zelensky.

Pas këtij reagimi edhe qeveria e drejtuar nga Denys Chmygal pati të njëjtën qasje. Chmygal tha se kishte udhëzuar ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Punëve të Jashtme për të shqyrtuar të gjitha pretendimet e bëra në media rreth vaksinimeve ilegale.

Në fund të muajit dhjetor Ukraina, e cila ka 42 milionë banorë, deklaroi se do të niste blerjen e 1.9 milionë vaksinave nga Sinovac Biotech dhe më tej 2 milionë të tjera nga kompania kineze CoronaVac, por pa specifikuar se në çfarë periudhe do të niste vaksinimi.

Udhëheqësit ukrainas kanë hasur mjaft kritika për faktin se nuk ka pasur ende një marrëveshje me një nga kompanitë perëndimore të prodhimit të vaksinave.

Kievi zyrtar shpreson të marrë rreth 8 milionë vaksina në periudhën e pranverës sipas mekanizmit të COVAX-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat