Belgjika shtrëngon masat anti-COVID për të parandaluar valën e tretë të infektimeve

Evropë

Belgjika shtrëngon masat anti-COVID për të parandaluar valën e tretë të infektimeve

Më: 19 mars 2021 Në ora: 21:17
Belgjikë

Belgjika ka ndjekur shtetin fqinj Francën të premten, duke vendosur për shtrëngim të masave anti-COVID për të mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit dhe për të parandaluar valën e tretë të infektimeve.

Kryeministri belg Alexander De Croo ka bërë të ditur në një konferencë për media se është pritur rritje e numrit të rasteve me COVID-19 gjatë muajit mars, mirëpo siç ka thënë, kjo rritje ishte më e shpejtë se që ishte parashikuar, sidomos në shkolla dhe vende të punës.

“Është e qartë se kemi javë vendimtare para nesh. Sado që do të dëshironim, koronavirusi nuk është larguar ende”, është shprehur De Croo gjatë konferencës, raportojnë mediat e huaja.

Sipas tij, tashmë janë anuluar planet për të rihapur parqet dhe për të lejuar sportet amatore të nisin punën nga 1 prilli.

Belgjika po planifikonte të rihapte restorantet, kafiteritë, qendrat e fitnesit dhe kinematë më 1 maj, pas pesë muajsh masash të rrepta.

Kryeministri De Croo ka kërkuar nga qytetarët belgë që të kufizojnë sa më shumë kontaktet.

Rastet ditore në Belgjikë janë rritur për 34 % nga java e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 22 mijë persona kanë vdekur në këtë shtet si pasojë e COVID-19 që nga fillimi i pandemisë mirëpo tani numri i vdekjeve ka filluar të bie për shkak të vaksinimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat