Ukrainasve iu rritet interesimi për tatuazhe patriotike

Evropë

Ukrainasve iu rritet interesimi për tatuazhe patriotike

Më: 20 mars 2022 Në ora: 10:34
Një numër i madh ukrainasve kanë shkuar për të bërë tatuazhe të flamujve të Ukrainës dhe simboleve të tjera shtetërore.

Derisa lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të katërt, ukrainasit kanë shfaqur mesazhe patriotike në trupat e tyre dhe në billborde.

Në një lokal të tatuazhesh në Lviv, një numër i madh ukrainasve kanë shkuar për të bërë tatuazhe të flamujve të Ukrainës dhe simboleve të tjera shtetërore.

Një prej tyre është 18-vjeçarja, Olena Barlevych, e cila bëri një tatuazh stemën e Ukrainës me një avion ushtarak që simbolizonte luftën për të mbrojtur vendin e saj.

“Është një fazë shumë e rëndësishme për vendin tonë, e cila duhet të hyjë në histori, e cila duhet t’u kalohet brezave të ardhshëm”, tha Barlevych.

Natalia Tanchynets ia kishte dizajnuar vajzës në fjalë tatuazhin, por ajo pati një numër të madh të klientëve që kërkuan tatuazhe të tilla.

Tanchynets tha se 70 përqind e të ardhurave të saj nga tatuazhet me frymë patriotike i janë dhuruar ushtrisë ukrainase.

Ajo është krenare për tatuazhet e klientëve të saj, ato janë një kujtesë e trishtë e luftës tragjike që përfshiu vendin e saj dhe që rezultoi me vdekjen e shumë njerëzve.

Ndërsa, Yuri Kobryn punon në një kompani të printimit, kur Rusia e filloi luftën në Ukrainë, ai mendoi se puna e tij do të ishte e padobishme.

Por, atij i lindi ideja që me forma krijuese t’i mbështesë trupat e ushtrisë së tij. Në vend të reklamave, kompania e Kobryn tani printon mesazhe motivuese për vendin e tij dhe veçanërisht për ushtrinë.

Disa nga mesazhet përfshijnë ato fetare, duke i kërkuar Zotit ose Jezusit t’i mbrojë ushtarët.

“Djemtë e ushtrisë u befasuan, më pyetën nëse mund të bëja versione më të vogla që ata mund t’ua jepnin të tjerëve,” tha ai.

“Kështu që të mund t’i ndihmojmë ata në fitoren tonë”, shkruan AP.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat