LIVE: Zelesnky dhe Putin do të takohen - Rusia arreston një ish-punonjës të Ambasadës së SHBA-së

Evropë

LIVE: Zelesnky dhe Putin do të takohen - Rusia arreston një ish-punonjës të Ambasadës së SHBA-së

Nga: Bota sot Më: 16 maj 2023 Në ora: 06:55 Përditësuar në ora: 20:44 më 16.05.2023
Foto ilustrim

Rusia arreston një ish-punonjës të Ambasadës së SHBA-së

Robert Shonov, i identifikuar si një ish-punonjës i Ambasadës së SHBA-së në Rusi, është arrestuar në qytetin rus të Vladivostok dhe u akuzua për konspiracion, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass.

Raporti nuk identifikoi kombësinë e tij, megjithatë, Vedant Patel, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, u tha gazetarëve në një konferencë të hënën se, ai e kishte parë raportin, por se “nuk kam asgjë shtesë për të ofruar në këtë moment”.

Tass, duke cituar një zyrtar anonim të zbatimit të ligjit, tha se Shonov akuzohej për “bashkëpunim mbi baza konfidenciale me një shtet të huaj ose organizatë ndërkombëtare ose të huaj”.

Ai është dërguar në burgun Lefortovo në Moskë, dhe nuk është caktuar data e gjyqit.

Mbajtja në izolim është e zakonshme në Lefortovo, një burg famëkeq i sigurisë së lartë, të burgosurit e të cilit aktualisht përfshijnë Evan Gershkovich, korrespondenti i Wall Street Journal i cili u akuzua për spiunazh në mars, akuza që punëdhënësi i tij dhe zyrtarët amerikanë i kanë mohuar fuqishëm.

Është gjithashtu vendi ku Paul Whelan, një ish-marins amerikan, i cili po vuan një dënim 16-vjeçar për ato që Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë akuza të sajuara për spiunazh, u mbajt për 20 muaj deri në gjyqin e tij në 2020.

Ai tani është në një punë të detyruar kampi disa qindra milje larg.

Putin dhe Zelensky ranë dakord të takohen me misionin e paqes të liderëve afrikanë

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa deklaroi sot se presidentët e Rusisë dhe Ukrainës kanë rënë dakord të diskutojnë një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me një delegacion të krerëve të shteteve afrikane në takime të veçanta.

Gjatë fundjavës, Ramaphosa foli me telefon me presidentin rus, Vladimir Putin dhe homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilët i thanë atij se do të presin liderët afrikanë në Moskë dhe Kiev.

Misioni i paqes do të përfshijë, përveç Ramaphosas, edhe presidentët e Zambisë, Senegalit, Kongos, Ugandës dhe Egjiptit, u njoftua nga zyra e kreut të Afrikës së Jugut, raporton reuters.

Në njoftim thuhet se Putin dhe Zelensky dhanë dritën jeshile për fillimin e përgatitjeve për takimet, por pa informacion shtesë për parametrat e mundshëm të bisedimeve.

]Zelensky ka thënë më parë se nuk do të konsiderojë një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës derisa forcat ruse të tërhiqen plotësisht nga territori ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është informuar për takimet e planifikuara të delegacionit afrikan dhe mirëpret nismën e tyre.

Kush është heroi që po e shpëton Bakhmutin nga “kthetrat” ruse?

Gjatë muajve të luftës së errët dhe rraskapitëse që vrau dhjetëra mijëra ushtarë nga të dyja anët, Bakhmuti ka qenë një nga betejat më të rëndësishme.

Edhe këtu, bashkë me dy operacionet më të rëndësishme ukrainase si mbrojtja e Kyivit dhe ofensiva e befasishme në rajonin e Kharkivit, ka udhëhequr gjeneral Oleksandër Sirski, komandanti 57-vjeçar i forcave tokësore të Ukrainës.

Dhe përgjegjësia operacionale për ofensivën e ardhshme do të jetë gjithashtu mbi supet e tij.

Oleksandër Sirski është një figurë asketike dhe në kontrast të fortë me gjeneralët rusë kundër të cilëve ai është në luftë. Para luftës, ai jetonte në një apartament në Kyiv me gruan e tij Tamara dhe djalin Oleksandër, fiton rreth 14,000 £ në vit dhe drejton një Renault Mégane të vitit 2017. I lindur në një fshat në rajonin e Vladimirit të Rusisë kur ishte ende pjesë e BRSS, Sirski është njohës i mirë i metodave sovjetike dhe tani ruse të luftës.

“Drejtimi i luftës çon në fitore,” shkroi komandanti javën e kaluar, duke parafrazuar teoricienin prusian të luftës të shekullit të 19-të, Carl von Clausewitz. Ai, ashtu si von Clausewitz, shpesh thekson rëndësinë e moralit dhe aspekteve psikologjike të luftës. Kur ushtria ukrainase, përsëri e udhëhequr nga Sirski, të sulmojë linjën e mbrojtjes 900 kilometra të Rusisë këtë verë, ka të ngjarë të përdorë një qasje të ngjashme, por këtë herë rusët kanë pasur disa muaj kohë.

Mbetet për t’u parë nëse Sirski i ka lodhur rusët në Bakhmut, por të paktën vendi i tij në librat e historisë është i sigurt.

Reputacioni i një komandanti krijohet në luftë dhe Oleksandër Sirski tashmë ka bërë mjaftueshëm për t’u mbajtur mend si një nga më të mirët në këtë luftë.

Lukashenko, “preja” e radhës e Vladimir Putin?

Që Vladimir Putin, diktatori i padiskutueshëm  rus, ka përdorur gjatë dekadave të tij në pushtet, lloj-lloj mënyrash për të asgjësuar armiqtë, kjo është e ditur tanimë. Megjithatë, duket se ai po bëhet i pamëshirshëm dhe tani, për arsye që nuk dihen, qarkullojnë aludime se po tenton të heqë qafe edhe njerëz që kanë qenë aleatë dhe besnikë të tij, në çdo rast. Para pak javësh, kur lideri çeçen Ramzan Kadyrov u raportua se kishte probleme me shëndetin, qarkulluan thashetheme se ai mund të ishte helmuar. Pas kësaj ngjarjeje ai është zhdukur nga skena. Rasti i tij, duket se po përsëritet, pasi diktatori bjellorus, Alexander Lukashenko ka shfaqur probleme me shëndetin, dhe një nga hipotezat është se shkaku i gjendjes së tij është helmimi.

Rasti i Kadyrov

Para pak javësh, u raportua se Kadyrov ishte në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të problemeve serioze me veshkat. Disa burime opozitare thanë asokohe se sëmundja e veshkave ishte shkaku që ai mungoi në fjalimin e Putinit drejtuar kombit në 12 shkurt, si dhe shkak i fytyrës së tij të fryrë teksa u shfaq në kryeqytetin e Çeçenisë.

Aleati i ngushtë i Vladimir Putin, që bëri thirrje për përdorimin e armëve nukleare kundër Ukrainës, dyshohet se thirri një prej doktorëve më të mirë të Emirateve të Bashkuara Arabe për ta kuruar, pasi nuk iu zinte besë mjekëve nga Moska. Sipas pretendimeve, Kadyrov mund të ishte helmuar, madje gazetari kazak Azamat Maytanov tha se mund të ishin ditët e fundit të tij, për shkak të helmimit. Nëse dikush ishte përfshirë shumë në punë të pista gjatë luftës në Ukrainë, ishte pikërisht Ramzan Kadyrov, ushtaraku çeçen që e ka quajtur veten “ushtari i këmbës së Putinit”. Forcat çeçene morën pjesë në rrethimin e Mariupolit dhe ishin ndër forcat pushtuese që vranë civilë në periferi të Kievit.

Helmimi i Lukashenkos

Ndërsa rasti i Lukashenkos, duket edhe më i mistershëm. Presidenti i Bjellorusisë nuk ishte parë në publik që nga 9 Maji dhe nuk u shfaq në një ceremoni në kryeqytetin e Minsk gjatë fundjavës, duke shkaktuar spekulime se lideri është i sëmurë rëndë. Kjo ishte hera e parë që mungonte që kur mori detyrën më të lartë shtetërore në këtë ish-republikë sovjetike 29 vjet më parë.Ai dyshohet se është “infektuar nga një virus”, ndërsa disa burime besojnë se ai është “helmuar”. Megjithatë, mediat shtetërore bjelloruse publikuan një foto të presidentit, në një qendër ushtarake, ku dora e majtë e diktatorit dukej e fashuar, ndonëse nuk dihej nëse fotoja është bërë ditët e fundit. “Lukashenko është i sëmurë. Ai nuk ka Covid, thjesht është i lodhur”, tha për portalin rus Podjom, përfaqësuesi i Dumës dhe nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Shtetet Post-Sovjetike, Konstantin Zatulin. “Kommersant” i Moskës shkroi se Lukashenko “dukej i rraskapitur” në Moskë dhe se duhej ta çonin në paradë me një skuter sepse ai nuk mund “të ecte as 300 metra nga makina në tribunë”. Lukashenko u ul gjatë gjithë paradës pothuajse pa lëvizur, dhe më pas fluturoi menjëherë për në Minsk, duke humbur një darkë të përbashkët me Putinin dhe të ftuarit e tjerë.

Grusht shteti në Bjellorusi

Pak kohë më parë boshti midis Moskës dhe Minskut  dukej shumë solid, me analistët që jepnin si konkrete hipotezën se Bjellorusia mund të hynte në luftë përkrah Rusisë në Ukrainë. Një rrethanë që nuk ka ndodhur, por tani skenarët kanë ndryshuar aq shumë sa që Kremlini tani dëshiron të tërheqë me çdo kusht vendin aleat në konflikt. Por si? Lideri rus Vladimir Putin dyshohet se po planifikonte një “sulm” ndaj presidentit Aleksandër Lukashenko. Dy skenarë po studiohen nga Gru, shërbimet sekrete ushtarake. Një përpjekje e rreme për të vrarë Lukashenkon, me qëllim për ta frikësuar dhe për ta detyruar atë të shkojë në luftë kundër Ukrainës së bashku me Moskën, ose vrasja e tij. Në rastin e fundit, sekretari i përgjithshëm i CSTO-së, Stanislav Zas, i cilësuar si besnik i Kremlinit dhe nën kontrollin e GRU-së, do të merrte drejtimin e vendit. Në të dy skenarët, do të tregoheshin ‘dëshmi’ të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara, Polonisë dhe Ukrainës në sulm, për të futur Minskun në luftë përkrah Moskës. Megjithatë, objektivi i Moskës do të ishte një bashkim i dy ushtrive nën komandën e Kremlinit. Edhe nëse Lukashenko do të mbetej gjallë, ai në fakt do të pafuqizohej dhe vendi do të shkonte drejt një bashkimi me Rusinë.

Brenda Bakhmutit, aty ku po zhvillohet beteja më e përgjakshme e luftës në Ukrainë

Korrespondenti i Sky News, Alex Rossi ka arritur të futet thellë në qytetin ukrainas Bakhmut në lindje të vendit, atje ku po zhvillohet beteja më e përgjakshme e luftës në Ukrainë.

Gjatë rrugëtimit të tij drejt këtij qyteti, ai ishte i shoqëruar nga ushtarët ukrainas dhe vazhdimisht dëgjoheshin predhat dhe plumbat e kalibrit të ndryshëm që shkrepeshin.

Ai madje u fut në zyrat e shtabit nga ku ndoqi pamjet e dronit, që tregonin shkallën e shkatërrimit të këtij qyteti që prej më shumë se dhjetë muaj, rusët po tentojnë ta marrin nën kontroll.

Në storien e Rossi, shihen edhe shumë kufoma siç pretendojnë edhe ushtarët ukrainas, ndërsa Kievi është i bindur se do të arrijnë të zmbrapsin rusët dhe të rikthejnë kontrollin mbi qytetin.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, rreth 10 kilometra katrorë, ukrainasit kanë arritur të çlirojnë gjatë javës së kaluar.

E kundërofensiva e paralajmëruar e ukrainasve ka filluar të jap efektet e para, pasi kreu i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, i përkdheluri i Putinit, tha se po u mungon municioni dhe se nëse kështu vazhdon do të tërhiqen nga Bakhmuti.

Gjithashtu tha se në këtë qytet kanë humbur jetën dhjetëra mijëra ushtarë rusë, përfshirë pjesëtarë të grupit të tij mercenar Wagner, që ndryshe njihet si ushtria private e Putinit.

Ushtria e Ukrainës thotë se ka rrëzuar 18 raketa të lëshuara nga Rusia gjatë natës – dhe jo vetëm kaq

Forcat Ajrore të Ukrainës “kapën” 18 raketa të lëshuara nga Rusia në vend gjatë natës, tha një gjeneral i lartë ukrainas në Telegram të martën.

“Rreth orës 03:30 të datës 16 maj 2023, pushtuesit rusë sulmuan Ukrainën nga veriu, jugu dhe lindja me 18 lloje të ndryshme raketash ajrore, detare dhe tokësore”, ka thënë gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandanti nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ai shtoi se Ukraina gjithashtu shkatërroi dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës.

“Armiku sulmoi me dron sulmues Shahed-136/131 dhe kreu zbulim ajror me tre drone të nivelit operacional dhe taktik. Të gjithë u shkatërruan”, citohet të ketë thënë Zaluzhnyi në deklaratë.

Ndryshe, siç është raportuar më herët, Kievi u godit nga një sulm i dendur “i jashtëzakonshëm” herët të martën.

“Këtë herë, armiku nisi një sulm kompleks nga drejtime të shumta njëkohësisht, duke përdorur UAV, raketa lundrimi dhe ndoshta raketa balistike. Ky sulm ishte i jashtëzakonshëm në densitetin e tij, me numrin maksimal të raketave sulmuese në kohën më të shkurtër të mundshme”, kishte thënë Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit.

Popko shtoi se “shumica dërrmuese e objektivave të armikut në hapësirën ajrore të Kievit u zbuluan dhe u shkatërruan”.

Ky shënoi sulmin e tetë në Kiev që nga fillimi i majit, tha Popko. 

Kreu i Wagner po ia punon pas krahëve Putinit, po shet informacione sekrete tek inteligjenca ukrainase, ja marrëveshja e fshehtë që i ka ofruar Zelenskyt

Marrëdhënia e manjatit Yevgeny Prigozhin me aleatin e tij prej kohësh, Presidentin Vladimir Putin, duket se ka arritur pikën më të ulët, sidomos pas videove me fyrje dhe një sërfë akuzash poshtëruese për trupat dhe udhëheqjen ruse. Situata është aq keq, sa kreu i Wagner, po luan një lojë të dyfishtë.

Ky është përfundimi nga një lajm i publikuar ekskluzivisht nga “Washington Post”, sipas të cilit lideri i grupit paraushtarak, Yevgeny Prigozhin, do t'i kishte ofruar ushtrisë ukrainase informacione se ku të sulmonin pozicionet ruse nëse ushtria e Kievit do të tërhiqej nga zonat përreth qytetit të Bakhmutit.

Në bazë të dokumenteve të inteligjencës amerikane, në fund të janarit, Prigozhin u premtoi komandantëve ukrainas se, nëse ata tërhiqnin ushtarët e tyre nga zona rreth Bakhmutit, ai do t'i siguronte Kievit informacione mbi pozicionet e trupave ruse, në mënyrë që Ukraina të mund t'i sulmonte ata.

Kurth për Ukrainën

Pasojat e mundshme të aferës janë evidente, të cilat megjithatë mund të jenë një kurth nga “kuzhinieri Putinit” për ukrainasit. Prigozhin ka kundërshtuar vazhdimisht publikisht qëndrimin e miratuar nga udhëheqja ushtarake dhe politike ruse ndaj luftës, dhe në veçanti ndaj Bakhmutit, por dhënia e informacioneve sekrete për armikun do të nënkuptonte tradhti. Dokumentet amerikane nuk specifikojnë se cilat pozicione ruse do të zbulonte lideri i Wagner.

Dy zyrtarë ukrainas konfirmuan në kushte anonimiteti për “Washington Post” se Prigozhin vazhdimisht i paraqiti propozimet drejtorisë së inteligjencës të Ukrainës, e njohur si “HUR”.

Një zyrtar, tha se Prigozhin kishte folur vazhdimisht për ofertën lidhur me Bakhmutin, por se Kievi e refuzoi sepse zyrtarët nuk i besojnë liderit të “Wagner” dhe kishin frikë nga një kurth. Edhe Uashingtoni, siç tha një zyrtar, dyshon në vërtetësinë e propozimit të Prigozhin dhe qëllimet e tij reale.

Oferta e Prigozhin

Dokumentet e tjera të zbuluara treguan se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes ruse po pyesnin veten se si t'i përgjigjeshin kritikave të Prigozhin për performancën e ushtrisë dhe thirrjeve të tij për më shumë municion. Dokumentet përmendin gjithashtu një luftë për pushtet midis Prigozhin dhe zyrtarëve të lartë, duke përfshirë ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Në këtë sfond të tensionuar, Prigozhin nisi lidhjet sekrete me inteligjencën ukrainase përmes telefonatave dhe takimeve ballë për ballë me oficerët e “HUR” në një vend të paspecifikuar afrikan, thuhet në dokument.

Inteligjenca amerikane thekson se Prigozhin ankohet për humbjet e rënda që kanë pësuar luftëtarët e tij dhe i kërkon Ukrainës që të godasë më fort trupat ruse. Prigozhin i tha një oficeri të inteligjencës ukrainase se ushtrisë ruse po i mbaronin furnizimet me municion dhe këshilloi forcat e Kievit të vazhdonin me një sulm në kufirin e Krimesë, sipas një dokumenti.

Reagimi i Rusisë

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se raporti "dukej si mashtrimi i radhës".

Në një mesazh audio në Telegram, Prigozhin i quajti akuzat "të pakuptimta" dhe akuzoi se banorët e periferisë Rublyovka të Moskës, shtëpia e elitës së biznesit dhe politikës, qëndronin pas një sulmi ndaj tij. Prigozhin mohoi të kishte takuar Kyrylo Budanov, kreun e inteligjencës ushtarake ukrainase, në Afrikë, duke thënë se ai nuk kishte qenë në kontinent që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë dhe duke e portretizuar idenë e një telefonate me të, si qesharake.Ka shenja se Kremlini po shqetësohet gjithnjë e më shumë nga deklaratat dhe lëvizjet e Prigozhin.

Media shtetërore ka marrë tashmë direktiva për të ndaluar raportimin për Prigozhin, ndërsa “Washington Post” ka raportuar se ministria e mbrojtjes ka mbledhur materiale për një fushatë publicitare negative kundër tij. Meduza raportoi këtë javë se agjencive të lajmeve u është thënë të fillojnë "ta portretizojnë atë si një tradhtar" nëse ai vazhdon të kritikojë ministrinë e mbrojtjes. Por roli kyç që trupat e Wagner po luajnë në Bakhmut i jep Prigozhin disi “krahë”. Ekspertët thonë se nëse ushtarët e tij largohen, e gjithë vija e frontit do të marrë fund.

Rusia arreston ish-zyrtarin e lartë amerikan

Robert Sonoff, një ish-punonjës i Ambasadës së SHBA-së në Rusi, u arrestua në qytetin rus të Vladivostok nën akuzën e konspiracionit dhe komplotit, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.

Agjencia ruse, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të zbatimit të ligjit, tha se Sonov akuzohej për “bashkëpunim mbi baza konfidenciale me një shtet të huaj ose organizatë ndërkombëtare”.

Ai u transferua në burgun Lefortovo në Moskë, një burg famëkeq i sigurisë maksimale, në të cilin ndodhet edhe Evan Gerskovich, korrespondenti i Wall Street Journal, i cili u akuzua për spiunazh në mars, akuza që punëdhënësi i tij dhe zyrtarët amerikanë i kanë mohuar vazhdimisht.

Paul Whelan, një ish-marins amerikan, i cili po vuan një dënim 16-vjeçar për akuza për spiunazh, sipas Shteteve të Bashkuara, u mbajt gjithashtu atje për 20 muaj deri në gjyqin e tij në 2020.

Ai tani ndodhet në një kamp pune të detyruar disa qindra kilometra larg. Në kohët sovjetike, KGB-ja mbante disidentët sovjetikë në këtë burg dhe së fundmi është përdorur për të izoluar kundërshtarët e Kremlinit.

CIA u kërkon rusëve të ndajnë informacione kundër Rusisë

Agjencia Qendrore e Inteligjencës së SHBA-së (CIA) ka publikuar një video që përmban udhëzime për rusët e zhgënjyer ose të zemëruar me luftën e Kremlinit kundër Ukrainës dhe jetën nën presidentin Vladimir Putin, se si të ndajnë informacione të vlefshme me inteligjencën amerikane në mënyrë anonime dhe të sigurt.

Videoja e shkurtër nga shërbimi më i lartë i inteligjencës amerikane tregon një zyrtar rus dhe familjen e tij, që duket se kanë një jetë të vështirë, dhe pyesin nëse kjo përputhet me ëndrrat e tyre.

“CIA dëshiron të dijë të vërtetën për Rusinë dhe ne po kërkojmë njerëz të besueshëm që mund të na thonë këtë të vërtetë”, thuhet në video.

"Informacioni juaj mund të jetë më i vlefshëm sesa mendoni".

Videoja është shpërndarë edhe në rrjete tjera sociale, duke përfshirë YouTube, Twitter, Instagram dhe Facebook.

Agjencia amerikane shprehu shpresën e saj për të vendosur kontakte me njerëzit që punojnë në shërbimet e inteligjencës, diplomacisë, shkencës dhe teknologjisë dhe tha se është e interesuar për të gjitha llojet e informatave, përfshirë ato politike dhe ekonomike.

Agjencia shpreson t’i bindë personat që janë të pakënaqur ose që e vënë në dyshim pushtimin e Ukrianës nga vendi tyre, që të ndajnë me të informacionet që mund t'i kenë.

"Qëllimi ynë është t'u ofrojmë atyre mjetet më të sigurta të mundshme për të na kontaktuar", tha një përfaqësues i agjencisë./REL

Skenari i bujshëm: Ja kush mund ta rrëzojë Vladimir Putinin nga pushteti

Roman Popkov u fut në skenën politike të ekstremit të djathtë të Rusisë përpara se t'i përkushtohej përmbysjes së armatosur të presidentit rus Vladimir Putin në emër të demokracisë. Në vitin 2011, ai u transferua në Kiev pasi u burgos në Rusi për pjesëmarrje në protestat kundër Putinit. Suksesin më të madh e arriti muajin e kaluar, më 2 prill, kur në një kafene në Shën Petersburg u vra propagandisti i famshëm rus Vladlen Tatarsky.

Popkov thuhet se ka rekrutuar atentatorin në emër të inteligjencës ukrainase dhe ka ndihmuar në planifikimin e atentatit. Ai shprehet se një lëvizje guerile e udhëhequr nga Rusia do të ishte e vetmja mënyrë për të "larguar" Vladimir Putinin, duke i hedhur poshtë protestat jo të dhunshme të opozitës ruse si të paefektshme, dritëshkurtëra dhe madje imorale.

“Ne në Ukrainë jetojmë nën sulme me raketa. Shokët tanë në Rusi po rrezikojnë jetën dhe lirinë e tyre në luftën kundër tiranisë. Dhe emigracioni politik rus në Evropë ulet nëpër kafene dhe bisedon”, tha ai.

Popkov shtoi se ai dëshiron që Perëndimi "të njohë të drejtën e rusëve të lirë për të luftuar kundër së keqes". Që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022, sulme misterioze kanë ndodhur në të gjithë Rusinë. Trenat dolën nga shinat, linjat e energjisë u hodhën në erë dhe ura që lidh Krimenë me Rusinë u dëmtua rëndë.

Grupet e opozitës ruse morën më vonë përgjegjësinë për sulmet si pjesë e një kryengritjeje më të madhe të armatosur. Por kush janë këto grupe? Sa të fortë janë ata dhe a marrin mbështetje ukrainase dhe perëndimore, siç pretendon Rusia?

“Forcat speciale ukrainase dhe kuratorët e tyre perëndimorë kanë nisur një indoktrinim ideologjik agresiv dhe rekrutim të qytetarëve tanë”, tha muajin e kaluar Alexander Bortnikov, kreu i Shërbimit të Sigurisë Federale (FSB), domethënë agjencisë ruse të inteligjencës për punët e brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat