Trazirat trondisin Francën përpara funeralit të adoleshentit që u qëllua nga policia

Evropë

Trazirat trondisin Francën përpara funeralit të adoleshentit që u qëllua nga policia

Më: 1 korrik 2023 Në ora: 14:38
Punonjësit heqin xhamat e thyer në një dyqan që u plaçkit gjatë natës së katërt të protestave në Francë, që shpërthyen pas vdekjes së një adoleshenti që u qëllua nga policia. Lion, Francë, 1 korrik, 2023.

Dhuna dhe trazirat në Francë kanë vazhduar edhe sot ndërsa familja e adoleshentit Nahel M, i cili u qëllua nga policia, përgatitej për funeralin e tij.

Gjatë natës, qeveria nxorri në terren 45,000 policë dhe disa automjete të blinduara për të ruajtur rendin ndërsa prej disa ditësh në të gjithë Francën po zhvillohen protesta të nxitura nga zemërimi që ka shkaktuar vdekja e 17 vjeçarit.

Nahel M me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua gjatë një ndalimi trafiku të martën në periferinë Nanterre të kryeqytetit francez.

Image
Qytetarët vrapojnë gjatë përplasjeve me policinë në qendër të Lionit, 30 qershor, 2023

Ministria e Brendshme e Francës tha se 994 persona ishin arrestuar ndërsa njoftoi në rrjetin social Twitter për rënie të intensitetit të dhunës krahasuar me një natë më parë.

Rrugët që të çojnë në vendin ku do të kryhen funerali dhe në varreza do të mbyllen, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve Reuters.

Vdekja e tij, e cila është e regjistruar në video, ka rinxjerrë në pah ankesat për përdorimin e dhunës së tepruar dhe për racizëm sistematik nga punonjësit e policisë.

Presidenti Macron ka mohuar se ka racizëm sistemik brenda agjencive franceze të zbatimit të ligjit.

Ndërtesat dhe automjetet janë djegur dhe dyqanet janë plaçkitur në trazirat, të cilat janë përhapur në mbarë vendin, duke përfshirë qytete si Marseja, Lioni, Tuluza, Strasburgu dhe Lilli./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat