BE “në ethe”, figura të rëndësishme po heqin dorë nga postet - çfarë pritet të ndodhë me gruan më të fuqishme në Evropë

Evropë

BE “në ethe”, figura të rëndësishme po heqin dorë nga postet - çfarë pritet të ndodhë me gruan më të fuqishme në Evropë

Më: 28 korrik 2023 Në ora: 09:34
Foto ilustrim

Një vit para përfundimit të mandatit të gruas më të fuqishme në Evropë, skuadra po shpërbëhet dalëngadalë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e kaluar mbeti pa zëvendëspresidentin Frans Timmermans dhe tani po largohet edhe Komisionerja për Konkurrencën e Tregut Margrethe Vestager, e cila kandidon për postin e kreut të Bankës Evropiane të Investimeve. Në maj, komisionerja e BE-së për inovacionin Mariya Gabriel dha gjithashtu dorëheqjen pasi mori një ftesë për të marrë pjesë në formimin e qeverisë bullgare.

Edhe pse nuk është e pazakontë që komisionerët të kërkojnë një punë të re para përfundimit të mandatit të tyre, këtë herë kjo po ndodh shumë herët. Përkatësisht, mandati i Komisionit aktual përfundon më 31 tetor 2024, dhe “motorri” e Brukselit ka ende shumë rrugë për të bërë, inflacioni po rritet, numri i hyrjeve të paligjshme në BE po i afrohet nivelit të 2015 dhe kërcënimi për stabilitetin është krijuar edhe nga lufta në Ukrainë.

Një problem shtesë për von der Leyen është edhe largimi i dy “peshave të rënda” politike. Timmermans me shumë gjasa do të japë dorëheqjen zyrtarisht më 22 gusht. Sa i përket Vestager, nëse ajo merr mbështetjen e ministrave evropianë të financave, Vestager do të largohet nga Komisioni deri në vjeshtë.

Ndërkohë, ka spekulime për të ardhmen e Ursula von der Leyen dhe nëse ish-ministrja gjermane e mbrojtjes 64-vjeçare do të kandidojë për një mandat të dytë pesë-vjeçar në krye të institucionit më me ndikim të BE-së. Ka spekulime se ajo ia ka vënë syrin postit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, i cili mbahet aktualisht nga Jens Stoltenberg. Megjithatë nuk dihet ende asgjë konkretisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat