Fermerët ukrainas dhe polakë kërkojnë zgjidhje mes rrezikut ndaj sigurisë ushqimore

Evropë

Fermerët ukrainas dhe polakë kërkojnë zgjidhje mes rrezikut ndaj sigurisë ushqimore

Më: 29 korrik 2023 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, Bashkimi Evropian lejoi tregtinë e lirë të prodhimeve bujqësore të Ukrainës për të ndihmuar bujqësinë e vendit. Por teprica e prodhimit që u krijua i shtyu anëtarët e BE-së, Poloninë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë të vendosin një ndalim të shitjes së drithit të Ukrainës dhe eksporteve të tjera bujqësore brenda kufijve të tyre. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze, kjo ka krijuar pengesa që kanë kërcënuar gjithashtu rrjedhën e drithit në tregjet botërore.

Lukasz Pergol nga Dzialdowo të Polonisë ka filluar të korrë grurin dhe prodhime të tjera bujqësire nga njëqind hektarë tokë të fermës së tij.

Ferma e tij po arrin të mbijetojë, veçanërisht pasi Bashkimi Evropian në prill lejoi Poloninë dhe katër fqinjët e saj të ndalonin shitjet e grurit, misrit dhe disa prodhimeve të tjera ukrainase në tregun e brendshëm, për të mbrojtur fermerët e tyre. Vendimi u mor pasi dërgesat e shumta ukrainase dëmtuan sipërmarrësit vendës.

Ministrat e Bujqësisë nga këto pesë shtete të BE-së po e shtyjnë Komisionin Evropian të zgjasë ndalimin pasi të skadojë afati i vendimit të tanishëm më 15 shtator. Këto vende kanë thënë se do të lejojnë dërgesat ukrainase të kalojnë nëpër vendet e tyre për në pjesë të tjera të botës.

Zoti Pergol thotë sa ndalimi është i arsyeshëm.

“Nëse drithi nga Ukraina vetëm do të kalonte tranzit tek ne, nuk do të ishte problem. Por shumë subjekte blerëse përfituan nga trazirat e luftës dhe pasiviteti i qeverisë polake duke e blerë këtë drith dhe duke e përdorur në fabrikat tona të ushqimit”, thotë fermeri polak, Lukasz Pergol.

Rritja e kostove të plehrave dhe karburantit ka ndikuar negativisht tek fermerët polakë, duke e bërë të vështirë për ta të konkurrojnë me Ukrainën e cila ka kapacitete të mëdha prodhuese.

Ndërkaq, bombardimet ruse të porteve të Ukrainës si dhe një bllokadë e mundshme në Detin të Zi po kufizojnë eksportet ukrainase, duke krijuar probleme për fermerët brenda dhe jashtë Ukrainës dhe duke kërcënuar zinxhirin global të furnizimit me ushqim.

Roman Slaston, drejtor i Klubit të Agrobiznesit në Kiev, thotë se gjetja e rrugëve alternative përmes Polonisë dhe vendeve të tjera është çelësi për nxjerrjen e grurit. Përpara ndalimit, Ukraina mund të dërgonte më shumë se një milion ton drithë çdo muaj. Por ndalimi në prill e ndryshoi këtë.

“Tranziti, pas ndalimit, nuk u rikthye në nivelin që e kishim deri në prill. Mallrat e tranzitit u pakësuan me dy deri në tre herë”, thotë Roman Slaston, nga Klubi i Agrobiznesit të Ukrainës.

Ai thotë se disa rrugë tranziti polake të përdorura përpara ndalimit tani janë të mbyllura për të korrat ukrainase dhe kapaciteti i porteve është i kufizuar.

Marcin Nowacki, Nën-President i Sindikatës Polake të Sipërmarrësve dhe Punëdhënësve, thekson nevojën për procedura të reja, modele biznesi për tranzit dhe infrastrukturë të përmirësuar për të parandaluar që gruri ukrainas i paraparë të kalojë tranzit të përdoret në tregjet e brendshme.

“Ne kemi nevojë për ruajtjen e grurit diku afër portit të Gdanskut. Kjo është diçka e nevojshme tani. Nëse duam ta bëjmë më të lehtë, nëse duam të rrisim kapacitetin e tranzitit, nevojitet një objekt i veçantë për magazinimin e grurit”, thotë zoti Nowacki.

Zoti Slaston thotë se vitin e kaluar Ukraina eksportoi më shumë se 68 milionë tonë drithë, një sasi e mjaftueshme për të ushqyer 400 milionë njerëz në mbarë botën, çdo vit. Ai parashikon se eksportet këtë vit do të bien në 60 tonë.

“Nga 400 milionë njerëz që po ushqenim me drithërat tona, tani do të jemi në gjendje të sigurojmë ushqim vetëm për 200 milionë. Pyetja është, kush do të prodhojë për pjesën tjetër?”, thotë zoti Slaston.

Prodhuesit ukrainas paralajmërojnë se nëse problemi i dërgimit të grurit ukrainas në botë nuk trajtohet së shpejti, siguria globale e ushqimit do të kërcënohet më tej./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat