Spanjë, stabilizohet zjarri në Tenerife pas nëntë ditësh, por zjarrfikësit mbeten në gatishmëri

Evropë

Spanjë, stabilizohet zjarri në Tenerife pas nëntë ditësh, por zjarrfikësit mbeten në gatishmëri

Më: 25 gusht 2023 Në ora: 09:43
Spanjë

Zjarri që ka shpërthyer që prej 15 gushtit në Tenerife, në arkipelagun turistik të veçantë spanjoll të Ishujve Kanarie, është “stabilizuar”, deklaroi kreu i pushtetit vendor, Fernando Clavijo gjatë një konference për shtyp të enjten mbrëma.

“Tani mund të themi se zjarri është stabilizuar, ky është një lajm i shkëlqyer”, theksoi zyrtari, pasi flakët “gllabëruan” tokat pyjore dhe zonat me bimësi të ulët, të cilat kanë një perimetër rreth 90 kilometra dhe një sipërfaqe që i afrohet 150 mijë hektarë.

Reparti i zjarrfikësve po priste për një fazë “kontrolli dhe shuarjeje dhe rreth 48 orë më vonë, nëse perimetri nuk do të kishte përparuar” mund të konsideronte se zjarri ishte “stabilizuar”, shpjegoi zoti Clavicho.

Zjarri – më i madhi në Spanjë që nga fillimi i vitit – nuk mori jetë njerëzish, por detyroi 12 mije njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre, megjithëse shumica tani kanë marrë leje nga autoritetet për t’u kthyer.

Tenerife ka një sipërfaqe prej 2034 kilometrash katrorë, pothuajse 7% e sipërfaqes së saj u shndërrua në hi.

Shumë rrugë mbeten të pakalueshme në ishull.

“Kjo nuk do të thotë se nuk do të shohim shpërthime”, paralajmëroi Fernando Clavijo, duke shtuar megjithatë se të gjitha “mjetet mbeten të vendosura në perimetrin e madh prej 90 kilometrash e më shumë, në mënyrë që të mund të reagojmë menjëherë”.

Në Tenerife, ishulli më i madh në Kanarie, 115 zjarrfikës qëndrojnë në këmbë me mbështetjen e 16 avionëve.

Tenerife ka përjetuar zjarre më të mëdha për sa i përket zonës së djegur, veçanërisht në vitin 2007, por kushtet e motit dhe topografia e zjarrit, në zonat e thyera, e shtynë zotin Clavicho ta përshkruajë atë si “më kompleksin” në 40 vjet.

Mijëra u urdhëruan të ikin pasi vapa dhe era ndezi zjarret në ishullin Tenerife të Spanjës.

Gjatë një vizite në ishull të hënën, kryeministri Pedro Sanchez njoftoi se do të shpallej një gjendje fatkeqësie në zonat e prekura për të lejuar dhënien e ndihmës emergjente të qeverisë dhe masat për të ndihmuar banorët. Zoti Sanchez siguroi gjithashtu se Madridi do të kontribuojë në “rindërtimin”, pa u futur megjithatë në detaje të natyrës financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat